Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca u është përgjigjur kritikave të faktorit ndërkombëtar për dërgimin në Kushtetuese të draftit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Sipas tij, Bashkimi Evropian nuk mund të marrë kompetencat e të vendosë për Kosovën, duke thënë se mund vetëm të kritikojë për vonesë, por që nuk ka pasur ndonjë afat të caktuar për këtë gjë.
“BE-ja tani mund të na kritikojë, me thënë që jeni vonuar ju, nuk e keni paraqitur draftin e Asociacionit, ne mund të themi a ka pasur afat preciz, deri kur Kosova kur ta paraqesë, nuk ka pasur, pra më shumë është varur nga dinamika, nga dinamika kohore të procesit të negociatave të Brukselit. Ndoshta ne mund ta pranojnë kritikën, që jemi vonuar, por vonesa nuk do të thotë me ia marrë kompetencën Kosovës”.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, i ka reaguar Kryeparlamentarit Konjufca lidhur me qëndrimin për çështjen e Asociacionit. E shefi i deputetëve të AAK-së ka thënë se dështimet, Qeveria po i mbulon me temën e Asociacionit, veriut dhe të urës.
SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian javët e fundit kanë rritur presionin ndaj Kosovës dhe Serbisë për zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit dhe aneksit të Ohrit, ku përfshihet edhe çështja e themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Tv Klan