Ditën e nesërme banorët e Himarës do të votojnë për të zgjedhur kryebashkiakun e ri. 23 mijë e 74 qytetarë të Himarës do t’i drejtohen të dielën kutive të votimit për të zgjedhur mes dy kandidatëve, Vangjel Tavo i socialistëve dhe Petro Gjikuria i opozitës. 36 qendrat e votimit do të hapen në orën 07:00 dhe do të mbyllen në 19:00.
Në Himarë do të aplikohet vetëm identifikimi elektronik dhe qendrat e votimit do të jenë të monitoruara me kamera. Pas mbylljes së votimit pritet të nisë edhe numërimi i votave.
Zgjedhjet në Bashkinë e Himarës po zhvillohen pasi kryetari i zgjedhur Fredi Beleri u dënua me 2 vite burg nga Apeli i GJKKO për korrupsion zgjedhor.
Beleri nuk e ushtroi detyrën asnjë ditë pasi u arrestua më 12 Maj të 2023 dy ditë para zgjedhjeve të përgjithshme vendore dhe nuk u lejua nga gjykatat që të bënte betimin si kryebashkiak.
Në këto 15 muaj ka vijuar një betejë e gjatë ligjore dhe politike, pasi edhe kryetari në detyrë Jorgo Goro u arrestua më 23 mars të këtij viti për tjetërsimin e pronave në Himarë.
Me dy kryetarë në burg kjo bashki bregdetare u drejtua fillimisht nga nënkryetarja Blerina Bala, e cila më pas u dorëhoq dhe aktualisht drejtohet nga Arqile Bollano.
Zgjedhjet e së dielës pritet të zgjidhin ngërçin për drejtimin e Bashkisë së Himarës.
Klan News