Një nxënëse 16 – vjeçare gjermane, e cila u largua nga shtëpia për t’u bashkuar me ISIS, është kapur në rrënojat e qytetit të Mosulit në Irak.
Linda Wenzel, nga qyteti Pulsnitz, pranë Drezdenit, u gjet me anëtarët e grupit terrorist, disa prej të cilëve mbanin jelekë shpërthyes.
Ajo u largua një vit më parë nga Gjermania, duke u paraqitur si nëna e saj Catherine dhe fluturoi nga Frankfurti drejt Turqisë, para se të hynte në Siri.
Policia beson se ajo kishte rënë në dashuri me një mysliman, që e kishte njohur në internet, i cili e kishte bindur atë të shkonte në Siri për t’u bashkuar me të.
Ajo ishte në mesin e 20 ndjekësve të ISIS, të ngecur në Mosul, i cili ra pas një beteje 10 mujore. Në këtë betejë mbetën të vdekur 25,000 xhihadistë dhe u shkatërrua qyteti i dytë më i madh irakian.
Linda u gjet me xhihadistë të tjerë në një tunel të Mosulit, disa prej të cilëve mbanin jelekë shpërthyes dhe armë automatike. Mediat raportuan se ato punonin për forcën e policisë së ISIS në qytet.
Të ndaluarit, që vinin nga Rusia, Turqia, Kanadaja dhe Çeçenia, u arrestuan gjatë operacioneve ushtarake të enjten e kaluar.
Autoritetet në Gjermani, të cilët pas zhdukjes së saj e cilësuan si një të dyshuar potenciale terroriste, konfirmuan se po shqyrtojnë fotografitë e saj në Mosulin e sapo çliruar për të përcaktuar nëse është në të vërtetë Linda Wenzel.
Gazeta Die Welt, duke cituar burimet e sigurisë, tha se vajza e kapur është padyshim nxënësja e humbur nga Gjermania.
Linda ndryshoi emrin e saj duke e bërë Mariam dhe ndonjëherë shpërndant4 në faqen e saj të Facebook-ut fotografi me shami.
“Ka zbulime të reja në hetimin penal që po provohet. Kur ajo të identifikohet qartë, hetimi do të rifillojë”,
tha kryeprokurori Lorenz Haase.
Linda W ishte e pakënaqur në shtëpi, ndaj iu kthye Islamit dhe së shpejti filloi të angazhohej në biseda në internet me ndjekësit e ISIS në Lindjen e Mesme.
Miqtë e saj i thanë policisë se përpara se të zhdukej, ajo kishte filluar të mësonte arabisht, merrte Kuranin në shkollë, vishte rroba konservatore, duke u hipnotizuar kështu me Islamin.
Kur u arratis jashtë vendit, ajo ishte nën vëzhgimin e zyrtarëve të inteligjencës gjerman, si e dyshuar për komplotimin e një krimi të rëndë kundër shtetit.
Para se të ikte, Linda i tha nënës së saj se do të qëndronte me shokë, por në fakt ajo kishte falsifikuar një shkresë, ku pretendonte se ishte e ëma Catherine, për të tërhequr para nga banka.
Më pas, ajo e përdori autorizimin e falsifikuar të bankës dhe letrat e falsifikuara të nënës së saj për të blerë biletën për në Stamboll.
Kur nëna e saj vuri re se ajo ishte zhdukur, adoleshentja kishte fluturuar tashmë drejt Turqisë.
Në Korrik të vitit të kaluar nëna e Lindës tha:
“Kur ajo nuk u kthye dhe kuptova se nuk kishte qenë kurrë atje, lajmërova policinë.”
“Në dhomën e saj gjetën një kopje të një bilete avioni për në Stamboll nën dyshek. Isha e tronditur, vajza ime kurrë nuk ka vjedhur apo ka gënjyer për ndonjë gjë më parë. Unë jam e shkatërruar nga fakti që asaj i kishin bërë lavazh truri, që dikush e bindi për të lënë vendin dhe që ajo arriti ta fshihte atë nga unë”
, shton ajo.
Shoqja e saj e klasës, 16 – vjeçarja Jule e kishte vënë re ndryshimin e saj dhe tha:
“Gjithnjë e më tepër Linda shmangej prej nesh. Ajo papritur ishte veshur me rroba të gjata, mësonte arabisht dhe lexonte Kuranin.”
Policia kriminale e shtetit të Saksonisë po drejton një kërkim ndërkombëtar për vajzën. Por avokati i shtetit Till Neumann, 54 – vjeç, pranon se vendndodhja e vajzave ende nuk dihet.
Forcat irakiane të sigurisë së fundmi përfunduan sundimin tre vjeçar të ISIS në qytetin e Mosulit.
Pamjet tregojnë luftëtarët e ISIS që zvarriten nga tunelet e tyre për t’u dorëzuar në njësitë kundër terrorizmit të Irakut. Klipi, i ngarkuar në Twitter të mërkurën, duket se tregon luftëtarë të plagosur, një prej të cilëve me paterica, duke u larguar nga një ndërtesë e shkatërruar.
Burrat mund të shihen me kapuçë të zinj mbi fytyrat e tyre, duke u udhëhequr nga ushtarët.
Shpallja e fitores së kryeministrit Haider al-Abadi sinjalizoi humbjen më të madhe për grupin Sunni qëkur përfshiu Irakun e Veriut tre vjet më parë.
Por xhepat e Mosulit mbeten të pasigurtë dhe qyteti është dëmtuar rëndë nga gati 9 muaj luftëra rraskapitëse urbane.
Rreth 900,000 njerëz u larguan për shkak të luftimeve, me më shumë se një të tretën e strehuar në kampe jashtë qytetit të dytë më të madh të Irakut, ndërsa pjesa tjetër ka jetuar me familjen dhe miqtë në lagjet e tjera.
Aktiviteti civil është kthyer shpejt në pjesën më të madhe të Mosulit dhe po punohet për të riparuar shtëpitë dhe infrastrukturën e dëmtuar, gjë që sipas vlerësimit të Kombeve të Bashkuara fillimisht do të kushtojë më shumë se 1 miliard dollarë./tvklan.al