Pesë vjet më parë, koronavirusi ndali botën. Mes atyre shteteve që u prekën më rëndë nga pandemia ishte Italia.
Më 21 Shkurt 2020, u konfirmua rasti i parë në qytetin e Codogno.
Brenda disa ditësh, qyteti i vogël San Fiorano ku jeton mësuesi italian Marzio Toniolo u mbyll, duke u bërë kështu zona e parë e kuqe jashtë Kinës.
Ajo që fillimisht ishte menduar si një masë e përkohshme shpejt u bë vatra më e keqe e shpërthimit të virusit në Evropë.
Me postblloqet e policisë në vend, jeta e përditshme ndryshoi brenda natës.
Izolimi ishte një koncept krejtësisht i ri, maskat ishin të pazakonta dhe fraza “distancim social” nuk kishte hyrë ende në fjalorin e përditshëm.
Askush nuk e dinte se ky do të ishte normaliteti i ri në mbarë botën.
Me policinë që mbylli qytetin, jeta ndryshoi brenda pak orëve. Për të përballuar situatën e vështirë, Toniolo me profesion mësues në një shkollë fillore filloi të merrej me artin e fotografisë, duke përdorur aparatin e tij për të realizuar shkrepje që do mbaheshin mend gjatë.
Ndarja e imazheve me botën e lejoi atë të fokusohej në diçka përtej krizës që po shpalosej rreth tij, vajzës Bianca dhe gruas së tij Chiara.
“Për mua, ishte një moment domethënës të isha në gjendje t’u tregoja se çfarë po përjetonim, pjesës tjetër botës. Ndjeva gjithashtu një ndjenjë të madhe përgjegjësie në atë moment. Prioriteti im ishte pikërisht të informoja njerëzit në mënyrë që ata të përgatiteshin për atë që ne po jetonim tashmë dhe atë që do të përjetonin më pas muajt në vijim”.
Për agjenicnë e lajmeve Reuters, ai shprehet se fotografia e ndihmoi të kalonte atë periudhë të vështirë.
“Kur autoritetet bllokuan këtë zonë, duke e kthyer në në një zonë të kuqe, ishte një gjë e jashtëzakonshme. Për fat, arrita t’i përkushtohesha diçkaje që ma çoi mendjen diku tjetër, si fotografia në rastin tim, ose le ta quajmë raportim në shkallë të vogël”.
Një vit më vonë, në 2021, familja e tij ju rikthye karantinës pas virusi kishte hyrë në shtëpinë e tyre.
Bashkëshortja e tij Chiara ishte ekspozuar ndaj dikujt që rezultoi pozitiv dhe duhej të izolohej në dhomën e tyre të gjumit.
Nga ato momente ai ka të dokumentuar një ndër fotografitë e tij më të dashura ku një nga vajzat e tij shihet duke buzëqeshur teksa po bën një video-telefonatë me nënën e saj e cila ishte në izolim.
“Jo vetëm unë, por të gjithë mendonin se ajo periudhë do të ndryshonte jetën tonë në një farë mënyre. Megjithatë, pas disa vitesh, më duhet të them se jemi kthyer me të vërtetë në mënyrën si ishte jeta më parë. Për mendimin tim, nuk ka patur ndonjë ndryshim të madh”.
Në nivel global, virusi ka evoluar, me variante të reja që shfaqen gjatë viteve, por ndikimi i tij është zvogëluar ndjeshëm.
Megjithatë, efektet afatgjata të pandemisë mbeten të dukshme në politikat e kujdesit shëndetësor, kulturën e punës në distancë dhe ndërgjegjësimin e publikut për sëmundjet infektive.
“Po, nga njëra anë kishte ndërgjegjësim, kishte vigjilencë dhe frikë gjatë asaj kohe, por nga ana tjetër, fakti që ne përjetuam një situatë kaq absurde, të gjithë së bashku është ajo që më bën të ndihem më shumë nostalgjik”.
Për Toniolon, zona e kuqe që dikur përcaktonte qytetin e tij tashmë është një kapitull i së shkuarës.
Por teksa shikon pas fotografitë e tij, ato shërbejnë si një kujtesë e fortë të një periudhe kur pasiguria sundonte botën.
Klan News