Kryeministri Edi Rama nga Berlini në komunikimin “Sy m’Sy” është shprehur shumë krenar për Shqipërinë dhe prezantimin e saj në ITB Berlin.

Rama gjatë fjalës së tij ka falenderuar të gjithë pjesëmarrësit në këtë event ku theksoi se kanë shkëlqyer me performancat e tyre në skenë dhe jashtë saj.

“Dua të falënderoj gjithë ekipin që u angazhua me shumë përkushtim dhe dua në mënyrë të posaçme të falënderoj të gjithë ata që erdhën nga Shqipëria e këtu dhe shkëlqyen me performanca në skenë dhe mbrapa skenave. Një paraqitje fantastike e Shqipërisë. A e imagjinonit këtë vetëm disa vite më parë”, shprehet Kryeministri Edi Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se tashmë Shqipëria është në një situatë krejt tjetër, shumë ndryshe nga ajo që ishte vitin e shkuar. Rama theksoi se vitin e kaluar në Shqipëri erdhën afro 400 mijë turistë gjerman, teksa këtë vit synohet që të kapërcehet gjysëm milionëshi.

“Realisht jemi në një situatë që jo skemi qenë kurrë, por ishte e vështirë të imagjinohej vetëm pak vite më parë. Vjet kur kemi ardhur këtu ka qenë jo e lehtë, ka qenë një situatë goxha skeptike. Vera e vjetshme na ka çliruar shumë. Kanë ardhur shumë nga këto pararojat e vëzhgimit për të parë dhe arritëm në afro 400 mijë turistë gjerman dhe këtë vit synojmë që të kapërcejmë gjysëm milionëshin të paktën në turistë gjerman. Turistët gjerman janë një lloj testi shumë domethënës sepse janë të ngadaltë në marrjen e vendimit për hyrjen në një vend dhe pastaj janë komplet pushtues. Janë turistë që shpenzojnë në mënyrë domethënsëse, që vijnë me të gjitha pretendimet dhe të gjitha kategoritë.  Kjo është shumë gjë e mirë që na ka ndodhur, por nga ana tjetër imazhi ka ndryshuar shumë dhe mbrëmë ka marrë një formë shumë shumë të plotë dhe në aspekte të proceseve të tjera,të respektit, të dinjitetit dhe atë të anëtarësimit në BE”, thekson Rama./tvklan.al