Histori me zhurmues– Të gjithë shqiptarët i kanë njohur ose kanë dëgjuar për dy mjekët e famshëm popullorë, Cenin e Shijakut dhe Cenin e Tiranës.
Ceni i Tiranës, mjeku Pëllumb Bulku ai që trashëgoi zanatin e babait të tij (Cenit të Shijakut) ishte i ftuar në emisionin “Histori me Zhurmues” të autorit dhe drejtuesit Pandi Laço nga ku tregoi më tepër për humanizmin e të atit.
“Babai im e filloi punën që në moshën 14-vjeçare me bagëti. Arriti ta perfeksionojë mirë profesionin në 2-3 vitet e para dhe menjëherë u hodh në shërbim të njerëzve. Këtë dhunti që e mori prej Zotit ai e përdori me sukses tek njerëzit, por me plagë nuk punoi asnjëherë. Shumë shpejt ai u bë i njohur në gjithë Shqipërinë. Ai mori emër sepse iu përkushtua me humanizëm kësaj pune. Ai punonte vetëm me fasho dhe karton, pa krijuar komplikacione. Klinikën e parë babai im e ndërtoi në shtëpi, ne kishim një dhomë në shtëpi që prisnim pacientët. Numri i pacientëve ka arritur deri në 120 në ditë.
Zanatin e tij nisa ta mësoj herët. Në moshën 14 vjeç e kam nisur edhe unë, po ashtu edhe vajza ime e ka nisur 14 vjeç. Unë isha ndihmës i babait dhe kisha punuar shumë me të. Më vinin shumë nxënës, në fillim për gjëra të vogla, por më vonë u perfeksionova edhe unë. Babai e kishte ëndërr që unë të vazhdoja shkollën për mjekësi dhe ashtu ndodhi, pasi mbarova të mesmen më çuan për mjekësi. Ai ishte njeri i betuar se nuk do të merrte shpërblime me lekë apo materiale, mjaftohej vetëm me fjalën faleminderit. Në duart e tij kanë kaluar mbi 700.000 pacientë. Në 60 vjet të punës së tij shtëpija jonë ka qenë gjithnjë e hapur. Tek babai im ka patur edhe pacientë të huaj. Pas vitit 90 iu dha “Titulli qytetar nderi” dhe më pas “Nderi i qytetit të Durrësit”, rrëfeu Pëllumb Bulku.
*Ky material është pjesë përbërëse e arkivës së Televizionit Klan për periudhën 1998-2012 që do të publikohet në kanalin e ri në YouTube /RTV Klan Arkiv. /tvklan.al