Lumturi Markola ka qenë një ndër të ftuarat e emisionit “Histori me Zhurmues” të autorit dhe drejtuesit Pandi Laço.

Ajo ka qenë kampione për 10 vjet me radhë në 400 dhe 600 metra dhe ka marrë pjesë në gara të ndryshme ndërkombëtare. Gjatë emisionit sportistja rrëfeu detaje rreth pjesëmarrjes së saj në garat jashtë Shqipërisë.

“Unë isha 15 vjeç në kohën kur kam marrë pjesë në këto organizime në Xhankarta. Ishte aktiviteti i parë pas lojrave olimpike që bëhej në një nivel të tillë dhe janë bërë në kuadrin e luftës së ftohtë. Më 1964 pritej të zhvilloheshin Lojrat Olimpike në Japoni. Unë vija nga kampionati Ballkanik ku kisha dalë me një rezultat shumë të mirë. Gara ime ishte shumë e fortë, kam konkuruar me atlete shumë të mira. Në kampionatin Ballkanik kam konkuruar me sportiste shumë të mira si Vera Nikoliç. Në lojrat e Ganefos unë dola në vendin e 4-ët. Por në atë periudhë nuk bëheshin teste seksi, nëse do të ishte bërë testi unë do isha në vendin e tretë sepse një nga ato doli mashkull dhe ia hoqën rezultatin.

Në vitin 60 unë mora pjesë në garat e kampit të pionerëve dhe kështu nisi. Përfaqësova ekipin e Dinamos, fillova ti kushtoj rëndësi sportit si profesioniste. Kur hyra unë në sport shumë koncepte për femrën ishin thyer. Mbaj mend në atë kohë vajtjet jashtë shtetit dhe vendet e bukura. Unë kam patur trainer Albert Kojën, por nuk më shoqëronte në gara jashtë. Gara e fundit ka qenë në veprimtari kombëtare ka qenë kampionati Ballkanik i krosit më 1966 ku arritëm një sukses të madh”, tregoi Lumturi Markola.

*Ky material është pjesë përbërëse e arkivës së Televizionit Klan për periudhën 1998-2012 që do të publikohet në kanalin e ri në YouTube /RTV Klan Arkiv. /tvklan.al