Histori me Zhurmues – Në vitet ‘60, mbrojtjes së vendit i kushtohej një rëndësi e veçantë aq sa thuhej “Mbrojtja e Atdheut detyrë mbi detyrat”. Pikërisht për këtë arsye në Kinostudion “Shqipëria e re” u krijua sektori i prodhimit të filmave ushtarakë.
Verdi Take, një nga skenaristët dhe realizuesit e atyre filmave ishte i ftuar në emisionin “Histori me Zhurmues” të drejtuesit dhe autorit Pandi Laço për të rrëfyer historinë e tij.
“Ky sektor filmash në Kinostudion “Shqipëria e re” u krijua nga Ministria e Mbrojtjes në vazhdën e institucioneve që ajo i kishte të pavaruara nga shteti. Në fillim pati një numër të vogël punonjësish me një nga operatorët e Kinostudios, Jani Nano dhe disa punonjës të tjerë. Me shtimin e organikës u hap edhe një vend për operator zëri. Në atë kohë unë isha oficer dhe donin të më transferonin në Fier. Unë ndërkohë mora vesh për këtë sektor dhe shikoja të realizuar një ëndërr timen për të punuar në kinematografi. Fillimisht u futa si operator zëri. Më vonë kalova regjisor dhe shef i atij sektori. Janë prodhuar shumë filma dokumentarë të cilët shfaqeshin vetëm në repartet ushtarake. Më pas bëra kërkesën për të filluar studimet në Fakultetin Ekonomik.
Atje ndodhi një kthesë e fortë sepse në fund të vitit të parë, vjen dikush dhe lexon një letër. Në letër ishin shkruar emrat e studentëve të cilët mund të vazhdonin studimet në Bashkimin Sovjetik, e kishim ëndërr në atë kohë. I ndërpreva studimet dhe u mora me dokumentet, por nuk më çuan sepse isha shumë i dobët. Nuk shkova më në shkollë. Më erdhi një letër tjetër dhe më kërkuan të vazhdoja në Shkollën e Bashkuar. E mbarova shkollën. Pasi mbarova më çuan në Shëngjin dhe m’u qepën dhe më hoqën fare nga puna. Më vonë më caktuan në Pallatin e Kulturës në Shkodër. Punova atje disa vite derisa pësova fatkeqësinë që ndërroi jetë bashkëshortja ime dhe më la me 3 fëmijë më e vogla pa i mbushur 10 vjeç. Unë nuk u martova më, u lidha me fëmijët dhe jam bërë 7 herë gjysh dhe ndihem i lumtur”, tha Verdi Take.
*Ky material është pjesë përbërëse e arkivës së Televizionit Klan për periudhën 1998-2012 që do të publikohet në kanalin e ri në YouTube /RTV Klan Arkiv