Histori me zhurmues- Gjendja e vështirë ekonomike e trashëguar nga lufta, e thelluar më shumë pas prishjes së marrëdhënieve me Jugosllavinë pasqyrojnë panoramën e Shqipërisë në vitin 1949.
Në fokus të programit “Histori me Zhurmues”, të autorit dhe drejtuesit Pandi Laço, ishte rindërtimi i vendit, hekurudhat e para të realizuara pikërisht gjatë vitit 1949 nga një grup specialistësh të përgatitur në Jugosllavi.
Disa incidente në hekurudha gjatë viteve 48-49 u trajtuan nga shteti si sabotime të organizuara nga UDB-ja në bashkëpunim me disa punonjës.
Personazhi i historisë sonë, Perlat Çaçi, ish-partizan qysh 13 vjeç, ishte mes grupit prej 15 vetësh të arrestuar për sabotim, shumica e tyre anëtarë partie. Dy vetëvrasje gjatë hetuesisë, një i dënuar me vdekje dhe dënime të tjera nga 5 deri ne 25 vjet ishin bilanci i hetimit absurd të këtij grupi.
Tomorr Ypi, një i arratisur në 1949-ën dhe i përgatitur në kampet e Greqisë, një nga pjesëtarët e kompanisë “4000”, aq shumë e përfolur, njëherësh e panjohur për publikun shqiptar ishte një tjetër protagonist i rrëfimeve të vitit 1949.
Si u krijua kompania “4000” nën urdhërat e komitetit “Shqipëria e lirë”, grupet diversioniste që u dërguan në Shqipëri, qëllimi i krijimit të saj. Ypi si dëshmitar real zbuloi për teleshikuesit shumë të panjohura mbi këtë kompani. /RTV Klan Arkiv. /tvklan.al