Histori me zhurmues – Më 15 Maj të viti 1947 arrestohet në Tiranë Mestan Ujaniku, një nga njerëzit që dha një kontribut të jashtëzakonshëm në Luftën Nacional Çlirimtare. Ai ishte po ashtu themeluesi i çetës së parë antifashiste në Europën Lindore.
Nuri Ujaniku ishte i ftuar në emisionin “Histori me Zhurmues” të autorit dhe drejtuesit Pandi Laço, për të folur për babain e tij.
“Mestani ka dalë kundër fashistëve që më 7 Prill të 1939-ës duke kërkuar armë në Prefekturën e Beratit. Më 5 Prill është arrestuar në Berat dhe me 7 ka dalë, ndërkohë që familjen e internuan. Mestani në atë kohë vijonte të shkonte fshat më fshat dhe fliste kundër fashizmit dhe shtoi çetën e tij. Më 14 Mars të vitit 1942 prezanton Gjin Markun si komisar të çetës dhe kjo figuron edhe si dita e themelimit të çetës. Në këtë kohë ne ishim të internuar dhe vjen një natë na mer vëllai i madh dhe kështu filloi një ndjekje edhe më e madhe ndaj çetës së Mestanit. Filloi ndjekia ndaj tyre dhe u dogjën edhe shtëpitë. Kur e mer vesh çeta se dogjën fshatin, vijnë dhe i rrethojnë. Që në atë kohë atij iu bë propozimi që të bëhej komunist, por nuk pranoi dhe qëndroi me pikëpamjet e tij nacionaliste deri në fund. Më pas Mestani u transferua në Shkodër dhe kishte reputacion të madh edhe atje. Nga Shkodra e sollën në Tiranë pranë Shtabit të Përgjithshëm më 1946. Në Kongresin e Përmetit ai pati një konflikt me Enver Hoxhën sepse kur u dhanë gradat emrat ishin ndryshuar. Pas debatit erdhi edhe arrestimi sepse ai kishte pikëpamje të tjera dhe influencë të madhe. Në vitin 1948 Mestanin e nxorrën në gjyq dhe akuzat ishin nga më monstruozet. Mbaj mend takimin në burg mes dy palë hekurave. Më kujtohet që teksa po vinte i shoqëruar nga një polic, mbahej nëpër mur dhe ishte katandisur si mos më keq, mezi qëndronte në këmbë dhe ishte vetëm 46 vjeç. I tha nënës time, mbahu dhe shiko djemtë se unë nuk e kam të gjatë. Më pa mua dhe qau,”bëhu burrë” më tha. Dhe në Korrik të 1948 vdiq si pasojë e torturave të egra që i ishin bërë. Por ai njeri që u bë jehonë për çlirimin e vendit sot nuk ka një varr”, tha Nuri Ujaniku.
*Ky material është pjesë përbërëse e arkivës së Televizionit Klan për periudhën 1998-2012 që do të publikohet në kanalin e ri në YouTube /RTV Klan Arkiv