Në Shkurt të 2024-ës, Brie Morgan Bauer ishte vetëm 27 javëshe shtatzënë kur ndjeu një dhimbje të tmerrshme në shpatulla. Duke qenë se burri i saj ishte me grip, ajo mendoi se e kishte kapur dhe atë. Por kur shkoi për kontroll, mjekët i thanë se kishte kontraktime serioze dhe nevojitej një ndërhyrje urgjente cezariane.

“Gjëja e fundit që mbaj mend ishte bashkëshorti im me dy djemtë”, thotë Morgan.

Ajo u zgjua 10 ditë më vonë. Prej hemoragjisë së rëndë, mjekët e futën në intubim dhe i dhanë një sërë medikamentesh për të kuruar një infeksion të quajtur “streptokoku i grupit A”.

Ky është një infeksion tejet i rrallë dhe vdekjeprurës i cili ul në mënyrë drastike presionin e gjakut, dëmton organet, shkakton rrahje të shpejta zemre dhe frymëmarrje të shpeshtë.

“Mendoja se gruaja ime po vdiste…”, rrëfehet Reid Bauer.

Por si e kujton Morgan ditën e parë që u shtrua në spital?

“Shkova me mamanë time të bënim vizitë. Sapo u shtriva në krevat, ndjeva një dhimbje të çuditshme në anën e djathtë të trupit. Kisha temperaturë të ulët, më thanë se foshnja ime po pësonte një shok. Prandaj nuk u mendova dy herë për të bërë ndërhyrjen”, tregon ajo.

Beau, lindi pasditen e 17 Shkurtit. Peshonte 2 kilogramë dhe u vendos menjëherë në inkubator. Lindja e bebes u pasua me një sërë komplikacionesh për Morgan.

I bënë dializë pasi veshka e saj nuk po funksiononte. Ajo kishte po ashtu një koagulim intravaskular, pra gjaku i saj nuk mpiksej normalisht. Doktorët zbuluan baktere tejet të rrezikshme në mitrën e saj. Kështu që ata menduan se duke e hequr totalisht mitrën, do të mund ta shpëtonin. Gjatë operacionit, asaj iu hoqën edhe disa pjesë të zorrës. Por mëngjesin tjetër, asgjë nuk ndryshoi për mirë.

Gjendja shëndetësore e Morgan ishte tejet e rëndë.

Mjekët kryen një operacion tjetër për t’u siguruar që do të hiqnin të gjithë indin nekrotik në zorrën e saj dhe i krijuan një vrimë prej së cilës do nxirrte mbetjet jashtë trupit. Edhe në këtë operacion ajo mbijetoi…

Pas disa ditësh ajo filloi të hapte shumë pak sytë, gjë që i bëri mjekët të besonin se truri i saj nuk ishte dëmtuar. Kur u zgjua ajo filloi edhe të fliste normalisht, por këmbët e duart e saj kishin marrë një ngjyrë të errët.

Me ekzaminimet e kryera, ishte e domosdoshme që asaj t’i hiqeshin 4 gjymtyrët.

“Më kishin bërë si mumje, gjithë fasho. Në fillim nuk e kuptova, doja të ecja. Ky rrugëtim më mori thuajse gjithçka, por do luftoj me aq sa më ka mbetur”, rrëfen mes lotësh Morgan.

Motivi i saj më i madh mbetet djali i saj i vogël. “Fakti që ai është gjallë më mjafton. Ishte e vështirë ta mbaja e shtrëngoja pa dy duar, por të paktën ia ndjej ngrohtësinë”, përfundon ajo me një buzëqeshje në fytyrë.

/tvklan.al