Chioma është e bindur se Hope, vogëlushi që mban në krahët e saj është i biri. Pas 8 vitesh përpjekjesh të dështuara, ajo e sheh si një mrekulli. “Jam prindi i fëmijës tim”, shprehet ajo e vendosur.
Ajo është ulur pranë të shoqit, Ike në zyrën e komisioneres së Anambra, Ify Obinabo që për rreth një orë merr çiftin në pyetje. Pesë anëtarë të familjes së Ike janë gjithashtu të pranishëm dhe nuk besojnë se Hope është djali biologjik i çiftit, shkruan BBC.
Chioma thotë se e “ka mbajtur” fëmijën për 15 muaj në bark. Komisionerja dhe familjarët s’arrijnë ta besojnë absurditetin e deklaratës. Chioma thotë se ishte përballur me presionin e familjes së burrit për të ngjizur një fëmijë. Ata madje i kërkuan atij të martohej me një grua tjetër.
Ajo shkoi në një “klinikë” që ofronte një “trajtim” të pazakontë, një mashtrim që shënjestron gratë e dëshpëruara për t’u bërë nëna që përfshin trafikimin e foshnjave. BBC dëgjoi deklaratat e Chioma dhe zbulon skemën e shtatzënisë kriptike. Emrat në artikull njoftohen të jenë ndryshuar për të mbrojtur dëshmitarët nga refuzimi në komunitetet e tyre.
Nigeria renditet ndër vendet me lindshmërinë më të lartë në botë,ndërsa gratë gjenden para presionit shoqëror për të mbetur shtatzënë dhe pasojave si dëbimi apo abuzimi. Disa prej tyre shkojnë deri në ekstrem për të realizuar ëndrrën e mëmësisë.
Mashtrues që pretendojnë të jenë mjekë apo infermierë i bindin gratë se kanë një “kurë mrekullie për fertilitetin” që u garanton se do të mbeten shtatzënë. “Kura” fillestare kushton disa qindra dollarë dhe është një injeksion, pije ose substancë që aplikohet në vaginë. Asnjë prej grave apo autoriteteve nuk e di me siguri se ç’gjendet në to. Disa gra janë shprehur se pësuan ndryshime në trupin e tyre si stomaku i fryrë që i bindi se ishin shtatzënë.
Gratë që marrin “trajtimin” paralajmërohen që të mos shkojnë te asnjë mjek tjetër ose spital sepse asnjë eko apo test shtatzënie nuk do ta dallonte “fëmijën” që mashtruesit u thonë se rritet jashtë mitrës.
Kur është koha për “të lindur”, u thuhet se procesi do të nisë sapo t’u injektohet një “ilaç i rrallë dhe i shtrenjtë” që ka një pagesë tjetër. Dëshmitë për “lindjen” ndryshojnë, por mbetet të dyshimta. Disa vendosen nën efektin e qetësuesve dhe zgjohen me një shenjë si lindje cezariane. Të tjera marrin një injeksion që thonë se u shkakton një gjendje të turbullt e halucinante gjatë së çilës besojnë se kanë lindur. Cilado qoftë forma, gratë përfundojnë me fëmijë që supozohen t’i kenë sjellë në jetë.
Chioma i thotë komisioneres se kur erdhi momenti i saj për “të lindur”, mjeku i bëri një injeksion në bel dhe i tha të shtynte. Ajo s’tregon si lindi Hope, por sipas saj, procesi ishte “i dhimbshëm”.
BBC u infiltrua në një nga këto “klinika” sekrete, u lidh me një grua të njohur si “dr. Ruth” dhe u shtir si një çift që prej 8 vitesh s’mundej të kishte fëmijë.
“Dr. Ruth” shkon në klinikë të shtunën e dytë të muajit në një hotel të rrënuar në Ihiala. Jashtë dhomës së saj, dhjetëra gra presin në korridoret e hotelit, disa me stomakun e kërcyer. Ndihet një atmosferë pozitive. Në një moment, shpërthen festa pasi një grua merr lajmin se është shtatzënë.
Kur të infiltruarit shkojnë ta takojnë, “dr. Ruth” u thotë se trajtimi është i garantuar që funksionon. Ajo i ofron reporteres një injeksion dhe i thotë se ai do t’i mundësojë çiftit “të zgjedhin” seksin e fëmijës, e cila është në fakt e pamundur nga ana mjekësore.
Pasi injeksioni refuzohet, “dr. Ruth” u jep një qeskë me pilula të thërrmuara dhe disa pilula të tjera që t’i marrin me vete, bashkë me udhëzimet se kur duhet të kryejnë marrëdhënie seksuale. Trajtimi fillestar kushton 350.000 naira (205 dollarë). Gazetarët nuk pijnë as pilulat, as ndjekin udhëzimet e “dr. Ruth” dhe kthehen në klinikën e saj pas katër javësh.
Pasi kalon një pajisje që duket si eko ultrazanore në stomakun e gazetares, dëgjohet një zhurmë si rrahje zemre dhe “dr. Ruth” e uron që ka mbetur shtatzënë. Të dy gazetarët e infiltruar brohorasin. Pas dhënies së lajmit të mirë, “dr. Ruth” u shpjegon se u duhet të paguajnë për një ilaç “të rrallë” dhe të shtrenjtë që fëmija të lindë i cili kushton rreth 1.5-2 milion naira (1180 dollarë). Pa këtë ilaç, shtatzënia mund të zgjaste më shumë se 9 muaj dhe “dr. Ruth” shton: “Fëmija do të lindë i kequshqyer, mund të na duhet ta rindërtojmë”.
Të gjitha këto deklarata për shtatzëninë kriptike mbështeten nga grupe që BBC i evidentoi në Facebook ku njerëzit keqinformoheshin për këtë lloj shtatzënie. Shtatzënia kriptike është një fenomen që mjekësia e njeh në të cilën gruaja nuk e di se ka një fëmijë në bark deri në fazat e vonshme të shtatzënisë. Në këto grupe, terminologjia përdoret për të bërë gratë të besojnë mashtrimin.
Autoritetet thonë se për të përfunduar “trajtimin”, mashtruesve u duhen foshnja të sapolindura dhe ata kërkojnë gra të dëshpëruara dhe të dobëta, shumë prej tyre të reja e shtatzënë sepse vendi s’e lejon abortin.
Në shkurt 2024, Ministria e Shëndetësisë së Anambra hyri në klinikën ku Chioma “lindi” Hope. Në pamjet e marra nga BBC, dukej një kompleks me dy ndërtesa. Në njërën kishte dhoma me pajisje mjekësore për klientët ndërsa tjetra kishte gra shtatzëna që mbaheshin kundër vullnetit. Disa prej tyre edhe 17 vjeçe. Ato deklarojnë se u mashtruan që të shkonin aty dhe nuk e dinin që fëmijët do t’u shiteshin klientëve të mashtruesve.
Uju deklaron se kishte shumë frikë t’i thoshte familejs që ishte shtatzënë dhe po kërkonte një rrugëdalje. Asaj iu ofruan 800.000 naira (470 dollarë) për fëmijën. E pyetur nëse pendohej për vendimin që të shiste fëmijën, u përgjigj: “Jam ende konfuze”.
Në fund të hetimit, komisionerja kërcënon se do e marrë Hope nga krahët e Chioma. Kjo e fundit pranon fajin dhe komisionerja pranon se ajo vetë është viktimë e nuk e dinte se ç’po ndodhte. Ajo lejon Chioma dhe Ike ta mbajë fëmijën deri në momentin që do të shfaqen prindërit e tij biologjikë./tvklan.al