Diskutimi mes prindërve dhe adoleshentëve për marrëdhëniet seksuale mbetet një nga temat e vështira dhe të sikletshme për të dyja palët. Të rinjtë përpiqen të mësojnë nga burime të tjera, të ndikuar edhe nga kureshtja e moshës dhe kjo sjell edhe pasoja siç mund të jetë kryerja e tyre herët.

Mjekja Lindita Myzyri shpjegoi në një insert të shfaqur në “Gjenerata Alfa” se raportet e para intime lindin që prej moshave 13-14 vjeç. Në studion e rubrikës të së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan, diskutimi vazhdon dhe Esio e Ilda mbajnë qëndrime të ndryshme.

Esio thotë se është tashmë e normalizuar dhe për djemtë, një formë mburrjeje përpara shoqërisë. Ilda mbron tezën se përgjithësisht kjo fshihet mes të rinjve, e kryesisht nga vajzat.

Ardit Gjebrea: A është normalizuar fillimi i hershëm i marrëdhënieve intime?

Esio: Unë personalisht mendoj që fatkeqësisht, po sepse sot kjo është kthyer në një formë mburrjeje e cila vazhdimisht dhe qoftë në mënyrë të qëllimshme, qoftë në mënyrë të paqëllimshme është e organizuar si nga mediat, si nga shoqëria, si nga muzika, si nga gjithçka.

Ardit Gjebrea: Ka presion shoqëria?

Esio: Patjetër. Përsëri ka presion sepse siç thashë, kjo është një formë mburrjeje dhe në qoftë se nuk e bën, shihesh si një dështak, si një i dështuar, si një njeri i mbaruar në zhargon.

Ilda: Nuk jam plotësisht dakord me thënë të drejtën që të rinjtë shihen në një formë të caktuar nëse nuk përfshihen në aktivitete të tilla nëse kanë kaluar një moshë të caktuar. Kam idenë se të rinjtë kanë atë tendencën për të fshehur këtë fakt nga të rinjtë e tjerë, nuk janë aq transparentë dhe të ekspozueshëm sa u përket informacioneve të tilla.

Ardit Gjebrea: E fshehin apo mburren se po thoni dy gjëra të ndryshme?

Ilda: Dy gjëra të ndryshme sepse Esio është djalë dhe unë jam vajzë.

Ardit Gjebrea: Çunat mburren, gocat e fshehin?

Ilda: Patjetër që po, por do të thoja që nuk vjen vetëm nga presioni por edhe nga mospasja e informacionit dhe kurioziteti. Sigurisht që nëse ne nuk kemi një kurrikulë zyrtare në shkollë që të mësojmë për këtë gjë, ne do të shtyhemi ta marrim informacionin nga burime të tjera të pasigurta, të cilat shumë lehtësisht janë të manipulueshme dhe informacioni aty mund të jetë i gabuar.

Ekspertja e Institutit të Shëndetit Publik, Gentiana Qirjako shpjegon përmes shifrave se konstatimi i Ildës është i saktë. Djemtë 15-vjeçarë raportojnë më shumë kryerjen e marrëdhënieve intime krahasuar me vajzat.

Gentiana Qirjako: Në studimin e fundit që kemi bërë, është një studim europian që bëhet në të gjitha vendet e Europës, na ka rezultuar që 20% e 15-vjeçarëve janë përfshirë në marrëdhënie seksuale, por me një diferencë shumë të madhe gjinore, që do të thotë 34% e djemve të kësaj grupmoshe raportuan kryerjen e marrëdhënieve seksuale kundrejt 4% të vajzave, për t’i dhënë të drejtë pikërisht Ildës që ka ndoshta një mbiraportim nga djemtë dhe një nënraportim nga vajzat./tvklan.al