Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese Holta Zaçaj ka thirrur mbledhjen e gjyqtarëve për deklarimin e përfundimit të mandatit të saj. Me anë të një reagimi publik, Zaçaj shprehet vendimi perfumndimtar duhet të merret nga kolegët e saj të Gjykatës Kushtetuese.

“Vendosa që t`i drejtohem Mbledhjes së Gjyqtarëve në ushtrim të përgjegjësive të mia si anëtare e kësaj Gjykate, për deklarimin e mbarimit të mandatit tim si gjyqtare kushtetuese. Trupa e Gjykatës Kushtetuese u mblodh sot pa arritur në një vendimmarrje duke e shtyrë seancën për ditët në vijim.”

Pavarësisht tërheqjes, Holta Zaçaj ka kundërshtuar hapjen e vakancës nga Gjykata e Lartë për zëvendësimin e saj duke e cilësuar si antikushtetuese.

“Shpallja e vendit vakant nga Gjykata e Lartë, pa një vendim të Gjykatës Kushtetuese e ka zhveshur këtë të fundit nga kompetenca kushtetuese, veprim ky i paprecedentë dhe i marrë me një urgjencë të pajustifikuar nga interesi publik apo forcë madhore, për të cilën të kërkohej ndërhyrje e menjëhershme.”

Zaçaj shprehet se Gjykata Kushtetuese duhet të jetë e lirë në vendimmarrje nga presionet politike dhe mediatike që të kryejnë funksionet e saj si rojtare e parimeve kushtetuese. Kundërshtinë për mandatin e saj Zaçaj më herët vendosi ta dërgonte në Komisionin e Venecias.

Klan News