Mjeku specializant Vanion Cinari nuk ka mundur të mbijetojë pas aksidentit tragjik ndodhur mbrëmjen e së martës në Tiranë. Ai humbi jetën këtë mëngjes në spitalin e Traumës.
Grupi hetimor ka ndërtuar dinamikën e aksidentit që ndodhi pranë rrethrrotullimit të Saukut.
Referuar dëshmive të marra të drejtuesve të tjerë të mjeteve, por edhe pas verifikimit të disa kamerave sigurie rezulton se, mjeti që drejtohej nga Cinari po lëvizte në drejtim të autostradës së Elbasanit.
Dyshohet se ai ka qenë me shpejtësi të lartë, tej normave të lejuara. 40-vjeçari ka tentuar të parakalojë, por ka humbur drejtimin e mjetit dhe ka kaluar në korsinë tjetër të rrugës duke goditur dy makina. Grupi i ekspertëve ende nuk ka përcaktuar shpejtësinë që lëvizte mjeku specializant.
Për ndarjen e tij nga jeta ka reaguar edhe ministrja e Shëndetësisë Albana Koçiu, e cila ka ngushëlluar familjarët dhen të afërmit e tij. Koçiu shkruan se mjeku specializant ishte i përkushtuar dhe shembull frymëzues i humanizmit dhe profesionalizmit.
Klan News