Vanion Çinari, 40-vjeçari i cili u plagos mbrëmjen e djeshme në një aksident në Sauk, nuk i ka mbijetuar dot plagëve. Klan News raporton se ai ndërroi jetë në spital si pasojë e dëmtimeve të rënda.

Çinari ishte mjek në Qendrën Spitalore Universitare, ku shërbente si specializant te Anestezi-Reanimacioni. Në lidhje me ngjarjen ka reaguar edhe Shoqata e Anestezistëve dhe Reanimatorëve të Shqipërisë (ASAI) që thotë se Çinari ishte një model korrektese dhe mirësie.

“Ditë e trishtë për shokët, kolegët, profesorët dhe gjithë personelin e QSUT. Me hidhërim të thellë njoftojmë se u nda nga ne një model korrektese dhe mirësie, Vanion Çinari, specializanti i Shërbimit të Anestezi-Reanimacionit! Ngushëllime të ndjera familjarëve, miqve dhe shokëve të Vanionit! U prehsh në paqe mik dhe koleg i shtrenjtë”, tha ASAI.

Dinamika e aksidentit

Grupi hetimor i ngritur për aksidentin e mbrëmjes së djeshme ka ndërtuar dinamikën e aksidentit ku humbi jetën mjeku 40-vjeçar Vanion Çinari.

Referuar dëshmive të marra të drejtuesve të tjerë të mjeteve, por edhe pas verifikimit të disa kamera sigurie rezulton se, mjeti që drejtohej nga Çinari po shkonte në drejtim të autostradës së Elbasanit.

Ai dyshohet se ka qenë me shpejtësi të lartë, ka tentuar të parakalojë dhe pasi ka humbur drejtimin ka kaluar në korsinë tjetër duke goditur mjetin e drejtuar nga Alba Shehaj.

Edhe ajo humbi drejtimin dhe është përplasur me trafikndarësen ndërkohë është përfshirë edhe një mjet tjetër, por pa dëmtime dhe pa të lënduar.

Burime thanë se pritet një ekspertizë e mjetit që do të zbulojë shpejtësinë me të cilën ka qenë duke lëvizur mjeku Çinari./tvklan.al