Në mbledhjen e fundit të qeverisë është miratur bonusi i fundvitit për familjet në nevojë, në vlerën e 15 mijë Lekëve. Sipas minisitres së Shëndetësisë Albana Koçiu ky është vendim solidariteti për tu ardhur në ndihmë të gjitha shtresave në nevojë.
“Për 275 mijë familje dhe individë që përfitojnë nga skemat e programit social. Janë 15 mijë Lekë apo 150 Euro që i akordohen familjeve në nevojë që përfitojnë nga skema e ndihmës ekonomike, fëmijët pa kujdes prindëror, invalidë që kanë statusin e para apo tetraplegjikut, ata që kanë statusin e të verbrit” tha Koçiu.
Sipas ministres Koçiu shpërblimin e fundvitit do ta përfitojnë edhe kujdestarët e personave me aftësi të kufizuara.
“Për herë të parë këtë vit, marrin shpërblimin e fundvitit, ndihmësit dhe kujdestarët e personave me aftësi të kufizuar. Janë plot 18 mijë ndihmës dhe kujdestarë për personat me aftësi të kufizuar, të cilët gjithashtu do të marrin shpërblimin e fundvitit. Është një fond i akorduar nga buxheti i shtetit afro 2.1 miliardë Lekë” shprehet ministrja.
Në mbledhjen e qeverisë u miratua edhe vazhdimësia e edicionit të tretë të klubeve sportive, për 12 mijë fëmijë dhe të rinj për tu marrë me sporte, basketboll dhe volejboll. Ndërkohë që u miratua edhe strategjia e zhvillimit të sipërmarrjes inovative. Mbështetja për progamin e sturt-up për 2025 vijon dhe aplikimet mbyllen më 5 Janar.
Klan News