Klotilda Greku ka humbur bashkëshortin e saj Sajmir Grekun nga tërmeti që goditi vendin më 26 Nëntor. Sajmir Greku dhe prindërit e tij Pëllumb dhe Çelike Greku jetonin në një prej pallateve të shembura në Thumanë.
Sajmiri u nxorr i gjallë nga rrënojat, por për fat të keq ndërroi jetë në Spitalin e Traumës. Kurse dy prindërit e tij u gjetën të pajetë nën gërmadha. Natën e tragjedisë, Klotilda dhe vajza e saj e vogël nuk ishin në shtëpinë e tyre në Thumanë. Ajo kishte shkuar në Dibër tek prindërit e saj së bashku me vajzën dhe i shpëtuan fatkeqësisë.
Klotilda ka qenë sot e ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan, ku tregoi se me Sajmirin kishte biseduar deri vonë në telefon, por pas tërmetit të orës 03:54 nuk po arrinte të lidhej më. Pallati ku ajo banonte në Thumanë është shembur totalisht, dhe tani po qëndron tek prindërit e saj në Dibër.
Ajo thotë se shteti i ka ofruar strehim tek banesat sociale në zonën e Shkozës në Tiranë, por për të largësia është problem dhe kërkon që të gjendet një banesë tjetër, për shkak se pas humbjes së bashkëshortit është një nënë e vetme.
Aktualisht je e zhvendosur tek prindërit e tu në Dibër?
Klotilda: Po, sepse nuk kam njeri tjetër. Ajo familje që ne ishim, që jetonim bashkë, nuk është më asnjëri. Banesa nuk është, edhe vëllai i Sajmirit që ishte larguar disa muaj më parë nga shtëpia u rikthye për këtë fatkeqësi që na ndodhi që të ishte në momentet e fundit me prindërit dhe vëllain. Edhe ai është i pastrehë, jeton tek të afërmit që ka këtu në Tiranë. Edhe as njëri as tjetri nuk kemi ndonjë strehë që të jetojmë aty ku ne kishim shtëpinë. Përveç familjes time, nuk besoj se do të gjej ngrohtësinë e dikujt tjetër që të qëndroja tek të afërmit.
Megjithatë, ti je një nga familjet e prekura fort nga tërmeti, kështu që besoj kanë filluar procedurat për sistemimin tënd në një apartament tjetër?
Klotilda: Në fakt, dje pata një takim tek Ministria e Financave që na njoftuan për disa apartamente që ishin në një zonë të Shkozës, që ishin banesa sociale që do të jepeshin. Por, unë vetë nuk kam qenë nuk i kam parë ato banesa. Nga ata që i kanë parë, nuk është një ambient i përshtatshëm për një fëmijë ose për mua vetëm me një vajzë. Dhe nuk e di nëse do na ofrohen, nëse duhet që të shkojmë patjetër atje ose të kemi një mundësi tjetër zgjidhje në një shtëpi tjetër. Edhe sepse është një zonë që është larg nga pjesa tjetër e të afërmve ose dikujt tjetër. Atje vetëm me një vajzë unë nuk besoj që mund të jetoj. Të paktën të jem në një zonë që njëherë do të kem nevojën t’i bëj telefonatë dikujt edhe të më vijë shpejt. Sepse tani jam e vetme, nuk është se kam dikë tjetër që të më ndihmojë. Vëllai, mami dhe babi im do të vazhdojnë jetën e tyre në shtëpinë e tyre, nuk janë më afër meje. Bashkëshortin më nuk e kam. Po ashtu edhe i vëllai i bashkëshortit do vazhdojë jetën me familjen e tij. Edhe më duket një vend i vështirë që të them do pranoj që të jetoj në atë zonë. Ata thanë që do ta rishikojmë edhe njëherë, nuk është se më thanë me detyrim do të shkoni me patjetër, ose s’keni shtëpi tjetër.
Ky është një sistemim provizor apo jo?
Klotilda: Ata që ishin atje më thanë që nëse do t’i pranonin, do të ishin përgjithmonë. Jo me qira ose përkohësisht, ishte përgjithmonë.
Klotilda ka shkëputur marrëdhëniet me punën prej më shumë se 1 viti, kur dhe solli në jetë vajzën e saj, Klejsa. Ajo shprehet se kohët e fundit ka kërkuar punë, por nuk ka gjetur. Pas këtij momenti të vështirë të humbjes së bashkëshortit dhe vjehrrit e vjehrrës, Klotilda thotë se gjetja e një pune në këtë moment do të ishte një lloj terapie për të harruar sadopak dhimbjen nga kjo fatkeqësi. /tvklan.al