8 Marsi është dita e gruas, por “Aldo Morning Show” në Tv Klan ftoi në studio gjininë e kundërt. Sotir Qirjaqi, një prej emrave më të njohur të sportit iu bashkua programit pikërisht për të folur për gruan jo vetëm në konceptin e përgjithshëm, por edhe si gjysmën e zemrës së tij. Gruaja e tij u nda nga jeta 3 vite më parë gjatë Covid-19, por Qirjaqi vazhdon të mbajë me vete foton e saj. Ai u shpreh se do ta ‘takojë’ edhe sot, duke i dërguar lule tek varri.
Me trishtim, ai kujtoi edhe momentin e ndarjes së saj nga jeta.
Sotir Qirjaqi: Nuk e dija që ajo do ikte se rasti im është rast unikal, ta dëgjojnë të gjithë teleshikuesit. Unë mund të jem i vetmi person, ndoshta shumë të tjerë, unë flas për veten time që unë tre javë s’kam pasur kontakt fare me atë, ajo ka qenë në Sanatorium dhe ia lashë Zotit në dorë, Zoti nuk e mbajti për atë arsye që s’ka nevojë ta themi sot, trishtimi dhe njerëzit më thonë mua “ti je i mërzitur”. Unë s’jam i mërzitur, unë jam në fatalitet atëherë. Tani jam rigjeneruar, e kujtoj, sot është një përkim i jashtëzakonshëm, është 37-mujori i largimit të bashkëshortes time, 8 mars, më 8 shkurt…
Aldo: I numëron?
Sotir Qirjaqi: Po, po. Unë i dedikoj asaj respekt.
Në këtë ditë 8 Marsi Qirjaqi dha një mesazh për të gjitha gratë.
“Uroj të gjithë gratë në Shqipëri, gëzuar! Me gëzimin individual, do të thotë të çosh mesazhe dashurie”./tvklan.al