Arrestohet në Turqi, Ibrahim Lici i dyshuar për vrasjen e Endri Mustafës në Shkodër. Lajmin e kanë bërë të ditur burime për Klan News. Sipas të njëjtave burime, autoriteteve turke u ka shkuar informacioni nga policia shqiptare për vendndodhjen e Licit.

I ati, nëpërmjet disa daljeve mediatike vite më parë, ka mohuar përfshirjen e të birit në vrasjen e Endri Mustafës. Po kështu edhe ëma e viktimës në një intervistë që ka dhënë për emisionin “Uniko” në Klan Plus nuk ka akuzuar Ibrahim Licin për vrasjen e Endri Mustafës.

Ibrahim Lici ka qenë një nga 5 personat më të kërkuar nga policia në Shqipëri.


Njoftimi i Policisë së Shtetit:

Policia e Shtetit/Bashkëpunim intensiv me partnerët, për kapjen e shtetasve të shumëkërkuar.

Si rezultat i inteligjencës policore të siguruar nga Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër dhe nga struktura të tjera të specializuara të Policisë së Shtetit, si dhe i shkëmbimit në kohë reale të informacionit me autoritetet policore turke, finalizohet operacioni policor i koduar “Jehona”.

Operacioni, nga Policia e Turqisë, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër, në koordinimin e Departamentit të Policisë Kriminale dhe Departamentit për Marrëdhëniet Ndërkombëtare, në drejtimin e SPAK.

Kapet në Turqi dhe vihet në pranga me qëllim ekstradimin, një 31-vjeçar i shumëkërkuar për vrasje.

Strukturat vendore të Policisë Shkodër, si rezultat i punës së pandërprerë për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, kanë siguruar informacion se shtetasi i shumëkërkuar I. L. fshihej në Turqi. Më tej, struktura të specializuara të Departamentit të Policisë Kriminale dhe Departamentit për Marrëdhëniet Ndërkombëtare (Interpol Tirana) e kanë shkëmbyer menjëherë këtë informacion dhe kanë bashkëpunuar ngushtë me autoritetet policore të Turqisë, për kapjen e këtij shtetasi.

Si rezultat i shkëmbimit të informacionit në kohë reale, ndjekjes dhe koordinimit të veprimeve, Policia turke ka finalizuar operacionin policor të koduar “Jehona”, gjatë të cilit është kapur dhe vënë në pranga shtetasi i shumëkërkuar I. L., 31 vjeç.

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër, në vitin 2021, i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për vepat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Mbajtje pa leje dhe prodhim i armeve shperthyese dhe municionit”, pasi më datë 15.05.2021, dyshohet ka vrarë me armë zjarri pistoletë, shtetasin E. M.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me agjencitë ligjzbatuese, vijon punën për ekstradimin e të shumëkërkuarit, drejt Shqipërisë.


DOSJA METAMORFOZA/ PËRGJIMET NË SKY ECC: PLANI PËR VRASJEN E IBRAHIM LICIT

Nga dosja “Metamorfoza” ku ishin përfshirë bisedat në aplikacionin Sky, u zbulua plani i Behar Bajrit që kërkonte të vriste Ibrahim Licin, Dorian Dulit dhe Genc Tafilit në varrimin e Indrit Rrajës.

Nga zbardhja e bisedave në aplikacionin Sky ECC, porosia për vrasjen e tyre ishte bërë nga Behar Bajri, dhe për ta ekzekutuar u angazhuan Astmer Bilali, Prekë Kodra, Aleks Ndreka dhe disa persona të tjerë, por vrasja nuk u realizua pasi nuk ishin të sigurt se në cilin automjet ndodhej Ibrahim Lici.

Vlen të theksohet se Astmer Bilali dhe Ibrahim Lici kanë qenë shokë fëmijërie me njëri-tjetrin.


Si u vra Endri Mustafa në Shkodër më 17 Maj 2021

Foto: Endri Mustafa

Endri Mustafa 32 vjeç u gjet i vrarë më 17 Maj 2021 në zonën e livadheve në Shkodër. 32-vjeçari kishte dalë nga shtëpia mbrëmjen e 15 Majit 2021 pas një mesazhi në celular.

Dyshohet se ai ishte nxjerrë në pritë. Dy ditë më vonë, policia gjeti trupin e pajetë të 32-vjeçarit rreth 1.9 kilometra larg shtëpisë, në zonën e quajtur livadhet.

Adoleshenti Ergys Malja është dënuar me 10 vite burgim si personi që nxorri në pritë 32-vjeçarin Endri Mustafa.


Nëna e Endri Mustafës: Plani për vrasjen e tim biri u bë në shtëpinë e Astmer Bilalit

Në një intervistë që ka dhënë për emisionin Uniko nga Spartak Koka në Klan Plus, më 31 Tetor 2022, nëna e Endri Mustafës tregoi sipas saj se kush e organizoi vrasjen e të birit. Fahrije Alija thotë se për vrasjen e djalit të saj janë të përfshirë edhe persona të tjerë.

Ajo përmend emrin e Astmer Bilalit, person sipas të cilës, ka dijeni për vrasjen e Endri Musfaës dhe që plani ishte hartuar në shtëpiën e tij.

Ajo flet edhe për Edison Arrazin, si person që natën e vrasjes ka qenë së bashku me djalin e saj. Edison Arrazi u arrestua nga policia, por për kultivim kanabisi dhe jo për vrasjen e Endri Mustafës. Ndërsa nëna e viktimës ngulmon se ai ka dijeni edhe për vrasjen e të birit.

Sa i përket Ibrahim Licit, person i cili është i akuzuar nga policia për këtë vrasje dhe në kërkim, ajo thotë se ky person nuk është i përfshirë.

Spartak Koka: Çfarë ka të re nga historia e vrasjes së djalit tuaj? Duhet të kujtojmë se ju jeni e vetme në kërkim të drejtësisë për vrasjen e djalit tuaj pa mbështetjen e askujt, vetëm ju personalisht po vijoni me ngulmim dhe me vendosmëri për të zbardhur autorët e vërtetë të kësaj ngjarje? Nuk jeni të kënaqur nga dënimi i Ergys Maljas?

Fahrije Alija: Jo.

Spartak Koka: Kush fshihet tjetër?

Fahrije Alija: Këta fshihen. E gjithë kjo ngjarje është e Astmer Bilalit.

Spartak Koka: Ergys Malja është dënuar 10 vite. Është personi i cili sipas prokurorisë dhe gjykatës e ka nxjerrë djalin tuaj jashtë. Çfarë detajesh të tjera keni sot dhe çfarë doni ju të publikoni, të deklaroni në media nëpërmjet kësaj interviste? Ju keni ardhur nga Shkodra në Tiranë për këtë intervistë. Përveç Ergys Maljas, në dijeninë tuaj, kush ka qenë tjetër i përfshirë?

Fahrije Alija: Mua atë natë ma ka marrë Ergys Malja, e ka nxjerrë nga dera e ka çuar deri te ByPassi. Atje e ka pritur Edison Arrazi, Coli.

Spartak Koka: Nga e dini ju? A mund të më përshkruani?

Fahrije Alija: Unë e di se më ka lënë djali fjalë se djali nuk ka dalë asnjëherë pa treguar se ku po shkon e çfarë bën. Djali i tha nuses që bë rrobat gati se dua të shkoj deri në livadhe me Ergysin, me Erin. Është bërë gati dhe ka dalë. I kam thënë që mos dil se për 3 mijë Euro ai të nxjerrë. Djali më tha që nuk jam vetëm, por jam edhe me Colin.

Spartak Koka: Kush është Coli?

Fahrije Alija: Unë tani jam kam mësuar emrin tamam, Coli është Edison Arrazi, vëllai i Erdgys Arrazit. Këta janë dy ëvllezër, kanë hyrë e kanë dalë 1 vit rreth tek ne. Kanë qenë shokë të djalit të dy vëllezërit. Këta janë shokë të Astmer Bilalit.

Spartak Koka: Edison Arrazi, pas mësimit të ngjarjes së djalit tuaj dhe pas kallëzimit që keni bërë në polici, është arrestuar për kultivim të lëndëve narkotike, por nuk është arrestuar për vrasjen e djalit tuaj dhe nuk ka një akuzë ndaj tij për vrasjen e djalit tuaj.

Fahrije Alija: Ata atë natë që e kanë kapur, Edison Arrazin e kanë kapur për djalin tim. Se ky Ergys Malja e ka nxjerrë i ka thënë që më ka thënë Edisoni, Coli. Por unë them që e gjithë kjo është me Astmer Bilalin. Tërë kjo gjullurdi është bërë te Astmer Bilali, në shtëpi të tij.

Spartak Koka: Pra ju akuzoni Astmer Bilalin drejtpëdrejt që ka dijeni për ngjarjen?

Fahrije Alija: Po, po. Dijeni e tij, të gjitha janë të tijat.

Spartak Koka: Pse përmendni Astmer Bilalin kur policia ka shpallur në kërkim Ibrahim Licin? A mund ta shpjegoni konkretisht? Ibrahim Lici, në informacionet që ju keni, ka implikim në vrasjen e djalit tuaj?

Fahrije Alija: Jo, asnjëherë nuk ka implikim. Sepse fillon qysh te qingji që e ka prurë në shtëpi edhe që i ka thënë djalit që kam një fidanë hashashi, ajo është që e ka bërë vetë Astmer Bilali me njerëzit, me këta që m’i ka prurë në shtëpi.

Spartak Koka: Ergys Malja, siç kemi zbluar edhe nga dosja, ka qenë një njeri i afër i Astmer Bilalit dhe merrej me kuajt e familjes së Astmer Bilalit. Por çfarë e lidh Astmerin drejtpërdrejt me djalin tuaj? Edison Arrazi, keni informacione që shoqërohej me Astmer Bilalin?

Fahrije Alija: Po, janë shokë, hyjnë e dalin.

Spartak Koka: Pra, Edison Arrazi, Erdgys Arrazi janë shokët e Astmer Bilalit?

Fahrije Alija: Po, po, edhe ky fëmija. Kanë hyrë e kanë dalë edhe ia kanë bërë djalit këtë gjullurdi, e kanë bërë te shtëpia e Astmer Bilalit. Plani është gatuar atje të shtëpia e atij. Asnjëherë nuk është e vërtetë që e ka bërë Ibrahim Lici.

Spartak Koka: Këto deklarata i bëni me vullnetin tuaj të lirë zonja Fahrije?

Fahrije Alija: Po. Me vullnet e lirë me Zotin lart dhe e vërteta që ka qenë ajo natë Bajrami. Të vërtetën duan ta mbulojnë, por e kanë brenda se të dy janë brenda në burg. Ma ka marrë ky fëmija atë natë dhe Edison Arrazi që ma ka çuar në livadhe. 


/tvklan.al