Ka ndërruar jetë në moshën 68-vjeçare, gazetari i njohur italian Franco Di Mare. Lajmin e trishtë të ndarjes nga jeta të gazetarit e ka dhënë familja e tij përmes një njoftimi publik.
“I përqafuar nga dashuria e vajzës, motrave dhe vëllait dhe i rrethuar nga dashuria e miqve të tij më të ngushtë, Franco Di Mare ndërroi jetë sot në Romë.”
Më 28 Prill, gazetari në një lidhje direkte për emisionin “Che tempo che fa”, tregoi se vuante nga tumori.
“Kam një tumor të pashërueshëm, më ka mbetur pak për të jetuar, por unë nuk dorëzohem”, tha ai për Fabio Fazion.
Në intervistën e dhënë disa ditë më parë, Franco Di Mare ka treguar për kohën kur ka qenë korrespondent në Shqipëri gjatë viteve 90’, gjatë së cilës ka shkëputur dhe një episod kur i kishte shpëtuar një plumbi mrekullisht.
“Më 28 Korrik do të mbush 69 vjeç, por nuk e di nëse do të arrij. Ndoshta po. Jam i qetë, nuk kam frikë. Ideja e vuajtjes më tremb, por kam shkuar në shumë funerale të kolegëve më të rinj se unë. Dhe unë jam gjallë për mrekulli. Gjatë një shkëmbimi zjarri në Shqipëri, një plumb kaloi në pjesën e pasme të qafës. Unë nuk vdiqa sepse u përkula për të marrë një bateri në çantën time. Unë e konsideroj veten një njeri me fat”, ka treguar ai.
Korrespondenti i luftës i RAI- t u shfaq përmes lidhjes direkte me emisionin italian me një tub në fytyrë.
“Ky tub i vogël që kalon mbi fytyrën time është i lidhur me një respirator automatik dhe më lejon të marr frymë me forcë, por gjithashtu më lejon të jem këtu. Jam diagnostikuar me mesothelioma, një tumor shumë i keq, i lidhur me praninë e asbestit në ajër” .
Di Mare kishte shpjeguar edhe pse mund ta ketë “zgjedhur” ky tumor shumë agresiv.
“Si korrespondent lufte kalova një kohë të gjatë në Ballkan, mes plumbave të uraniumit të varfëruar të shpejtë e shkatërrues. Çdo shpërthim lëshonte grimca të pafundme asbesti në ajër. Ndoshta e kam marrë në Sarajevë, në Korrik 1992, misioni im i parë. Ose i fundit, në vitin 2000, kush e di.”
Në intervistën e tij të fundit të dhënë para pak ditësh, Franco di Mare ka treguar se zbuloi se ishte diagnostikuar me kancer 3 vite më parë./tvklan.al