Ahmet Bilali, 76 vjeç nga Shkodra, denoncon në “Stop” gjyqtaren Arta Llazari, e cila e ka mbajtur në gjyq për 10 vjet, kur prona e tij është me hipotekë.
Gjyqi është zhvilluar mbi një dokument të Reformës Agrare i falsifikuar.
Pas 10 vjetësh gjyqtarja i jep të drejtë Ahmet Bilalit, por sërish vazhdon ta mbajë peng, duke mos zbardhur vendimin prej 14 muajsh nga marrja e vendimit.
“E kam problemin me një zotëri këtu që e ka emrin Nush Hotaj. Pasi ka marrë tokë me një dokument të Reformës Agrare gjoja me ligjin 7501 vjen të më vjedhë edhe tokën time të certifikuar nga shteti shqiptar. Më ka çuar edhe në gjykatë. 30 seanca gjyqësore me gjyqtaren Arta Llazari, ky person ka çuar vetëm me u rrah. Edhe terrorizon, po të rrah, e po të bëj dhe në vend që gjyqtarja të thërrasë prokurorinë 30 seanca gjyqësore i kam kërkuar të thirret prokurori i gatshëm. Jam kërcënuar, edhe me u çuar me më rrah në gjyq. Në vend që ta nxirrte jashtë e të thërriste policinë, asnjë masë. Më mori jetën peng mor kjo. Kjo e prokuroria e Shkodrës janë një tmerr”, tha ai.
76-vjeçari shkon pothuajse çdo ditë tek Sekretaria e Gjykatës Shkodër, për të marrë vendimin e zbardhur, por gjyqtarja Llazari vijon ta mbajë peng prej më shumë se 11 vjetësh tashmë.
“Jam fukara me qindra dynym tokë. Pse? Prej sistemit të drejtësisë kaq i korruptuar jam sa nuk di kush ta përshkruajë”, tha ai.
Ahmet Bilali: Po të bezdisi edhe njëherë. Unë kam ardhur gati çdo ditë këtu, në lidhje me zbardhjen e vendimit tim nga gjyqtarja Arta Llazari. A ke mundësi?
Sekretarja: Akoma s’e ka zbardh, akoma nuk është zbardhur, unë nuk kam dijeni, kështu që…
Ahmet Bilali: Akoma nuk është zbardhur?! Po pse nuk është zbardhur?!
“Është një tmerr. Ka me qindra qytetarë. Shkoni te sporteli. Ka me qindra qytetarë që i zvarrit, i streson, i degjeneron si njerëz”, shtoi
Gjyqtarja e Shkodrës kaloi me sukses Vettingun edhe pse për të kishte me dhjetëra ankesa të qytetarëve të Shkodrës.
“Për mua kjo gjyqtare ka probleme të mëdha. Është e tmerrshme, si ka mundësi mor. Unë i certifikuar nga shteti. Nuk zej as atë tokë. Bëhet biznes është e tmerrshme. 15 vjet ka që e kam marrë këtë tokë dhe atë tokë atje dhe nuk e gëzoj”, tha ai.
“Stop” ka siguruar një ankesë nga Dhoma e Avokatisë Shkodër për këtë gjyqtare, e cila prej më shumë se dy vjetësh nuk zbardh vendimet.
Rezulton se zonja Arta Llazari ka mbi 2 vite që jnuk ka dorëzuar vendimet e arsyetuara, pavarësisht se ka shpallur vendimin.
“Kjo situatë është jashtëzakonisht alarmante dhe secili avokat, anëtar i Dhomës së Avokatisë Shkodër ka hasur në problematika serioze në marrëdhëniet me klientët që përfaqësojnë”, tha Dhoma e Avokatisë.
Deri më tani ndaj gjyqtares nuk ka asnjë masë të marrë pavarësisht ankesave.
Vetë Bilali është ankuar shumë herë për të, që kur u krijua ILD. Por vetëm pasi gjyqtarja kaloi Vettingun në 13 shkurt 2023, ILD e njoftoj qytetarin, se ka marrë nën administrim ankesën e tij.
“Më ka thanë që mora në dorëzim. Unë i kam kërkuar ILD-së të ndërhyjë në dosje, të shohë çfarë krimi po kryen kjo zonjë, është e tmerrshme”, tha Bilali.
“Stop” arriti të takojë vetë gjyqtaren Llazari, por ajo u shmang dhe përdori rojat e sigurisë, për t’u fshehur.
Gazetari: Znj.Llazari, gazetari Genci Angjellari i emisionit “Stop”. Këtij qytetari pse nuk i është zbardhur vendimi? Si ky qytetar ka dhe shumë të tjerë. Për z.Ahmet Bilali, pse e keni vonuar procesin… Kush është interesi?
Gjyqtarja Arta Llazari: Shumë mirë …A mund t’u them diçka? Jemi në proces e sipër, s’ka mbaruar akoma procesi…
Gazetari: T’ju pres? E sigurtë?
Gjyqtarja Arta Llazari: Po normale, po normale…
Gazetari: Po ju pres aty./tvklan.al