Kryeministri Edi Rama, deklaroi në fillim të vitit se vendi ynë do të përfshihej nga një krizë energjitike, e cila duket se u përshpejtua pas konfliktit ushtarak midis Rusisë dhe Ukrainës. Sipas Ramës, çmimi i energjisë pësoi një rritje të madhe, por nuk i është faturuar konsumatorit, pasi po paguhet nga qeveria.

Në lidhje me këtë situatë, Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delinda Ibrahimaj tha në emisionin “Opinion” në “Tv Klan”, se një familje shqiptare me të ardhura mesatare, shpenzon rreth 5% në energji elektrike dhe 2% në karburant. Ndër të tjera, ministrja deklaroi se nëse qeveria nuk do të ndërhynte, familjet shqiptare do të duhej të paguanin 20% të të ardhurave të tyre, për energjinë elektrike.

 

Neve na është dashur që të ndërhyjmë në energji elektrike apo te nafta. Kemi bërë llogaritë, si për konsumatorin familjar, si për biznesin e vogël, ashtu edhe për biznesin e madh. Në të treja kategoritë e bizneseve, energjia elektrike është ajo që ka peshën më të madhe. Një familje shqiptare, me të ardhura mesatare, ka rreth 5% të shpenzimeve të veta për energjinë elektrike dhe 2% në karburant. Nëse çmimi i energjisë elektrike do të reflektohej, për aq sa del kostoja sot, ky 5% do të bëhej 20%. Do të ishte katastrofike, nëse familjen shqiptare do të paguanin këtë kosto”, u shpreh Ibrahimaj./tvklan.al