Spiker: Drini Zeqo
Headlines 8 Janar 2025
Ulet çmimi i energjisë elektrike për familjarët. 8.5 lekë për konsumatorët që harxhojnë deri në 700 kwh
Enti Rregullator i Energjisë miratoi sot kërkesën e OSHEE për uljen e çmimit të energjisë elektrike. Nga 1 shkurti, të gjitha familjet që do të harxhojnë deri në 700 kilovatorë energji, do ta paguajnë atë me 8.5 lekë nga 9.5 lekë që është aktualisht.
Rama: Ulja e çmimit të energjisë, historike. Sovranitet brenda mandatit të katërt
Kryeministri Rama deklaron se ulja e çmimit të energjisë elektrike për familjet është një arritje historike dhe premton se brenda mandatit të katërt qeverisës të socialistëve Shqipëria do të arrijë të ketë sovranitet energjetik.
Dosja “5D”, SPAK çon në gjykatë edhe 9 ish-zyrtarë: Favorizuan kompaninë e Redi Mollës e Mariglen Qatos
SPAK dërgon në gjykatë 9 ish-zyrtarë të Bashkisë së Tiranës në lidhje dosjen “5D”. Prokuroria e Posaçme i akuzon ata se favorizuan në tendera kompaninë e drejtuar në hije nga ish-drejtorët Redi Molla e Mariglen Qato.
Ekstradohet nga Turqia Dritan Rexhepi. I dënuar për vrasje të dyfishtë, nën akuzë për rrëmbimin e Jan Prengës
Ekstradohet nga Turqia i shumëkërkuari i drejtësisë Dritan Rexhepi. Ai është dënuar me 25 vjet burg për një vrasje të dyfishtë në Krujë në vitin 1999, ndërsa është nën akuzë edhe për rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës në vitin 2020.
Publikohen pamjet filmike të rrahjes barbare të një 48-vjeçari në Tiranë. 2 në pranga, 4 ende në kërkim
Publikohen pamjet filmike të rrahjes barbare të një 48-vjeçari në Tiranë, si pasojë e një përplasjeje të ndodhur mes dy grupeve verën e kaluar. Policia arrestoi 2 nga autorët e dhunës dhe shpalli në kërkim 4 të tjerë.
2 viktima nga zjarret në Los Angeles. Shpallet gjendja e jashtëzakonshme, evakuohen afro 50 mijë banorë
2 persona kanë humbur jetën nga zjarret masive që kanë pushtuar Los Anxhelesin. Flakët po përhapen me shpejtësi duke djegur qindra ndërtesa, ndërsa autoritetet shpallën gjendjen e jashtëzakonshme dhe evakuuan rreth 50 mijë banorë.
Deklarata e Trump për aneksimin e Groenlandës irriton Europën. Franca: Është territor i BE-së
Deklaratat e presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump, për aneksimin e Groenlandës irritojnë Europën. Ministri i Jashtëm francez tha se Groenlanda është territor i Bashkimit Europian dhe do të mbrohet me çdo kusht./tvklan.al