Histori me zhurmues – Gjon Temali nga Shkodra me profesion farmacist ishte një nga 22 intelektualët që u pushkatuan me pretekstin se kishin lidhje me bombën e hedhur në oborrin e Ambasadës Sovjetike më 1951.
Ai u akuzua se kishte zhvilluar aktivitet kundër Partisë Komuniste dhe se vajzat e tij kishin shpërndarë trakte.
Ida Temali, vajza e madhe e Gjon Temalit përmes një interviste për emisionin “Histori me Zhurmues” të autorit dhe drejtuesit Pandi Laço, tregoi ngjarjen dhe jetën e familjes pas pushkatimit të babait.
“Ka qenë një ditë që shkatërroi gjithë familjen tonë. Nuk di si ta përshkruaj. Mbetëm katër jetime me nënën dhe me gjyshen. Atë ditë para se të ndodhte ngjarja, pasdite babai më mori dhe më shëtiti. Unë isha fëmija më i madh. Shkuam në shtëpi, unë sikur e ndjeva çfarë do ndodhte dhe kërkova të ha darkë bashkë me prindërit. Ajo ka qenë darka e fundit. Në mesnatë ndjemë zhurmë në oborrin e shtëpisë, kishin ardhur oficerët e sigurimit dhe kanë trokitur me forcë. Shpërthyen derën dhe hynë brenda. Te dera lanë një oficer sigurimi i cili na ka ruajtur tre ditë. Të nesërmen ne shkuam në shkollë dhe kur u ktheva gjeta nënën në oborr bashkë me oficerin e sigurimit Angji Lubonja. Pyes nënën nëse ishte kthyer babai dhe ajo më tregon se e kanë pushkatuar. Aty kam bërtitur sa kam pas fuqi dhe më ka rënë të fikët dhe kur më ka dalë e kam parë veten në bodrum.
Pas tre ditësh kanë ardhur dhe na kanë marrë për internim, në kamion kishte gra, plaka dhe fëmijë me djep. Në Vlorë na shkarkuan dhe na lanë një natë të flinim mbi një plasmas, të nesërmen erdhën dhe na morën sërish, na shëtitën nëpër Vlorë për të treguar se ne ishim kriminelët. Na futën në një dyqan ku ishte shitur qymyr dhe aty kemi jetuar disa muaj. Kemi punuar në punët më të rënda. Pas gjashtë vitesh jemi rikthyer në Shkodër dhe kemi jetuar në një bodrum.
Babai im ishte shkolluar jashtë dhe ishte rikthyer për të sjellë këtu kulturë, por në atë kohë të gjithë ata që kishin studiuar jashtë ishin në shenjestër sespe kultura ishte në kundërshtim me diktaturën. I shkatërruan jetën prindërve tanë, neve dhe fëmijëve tanë, tre breza”, tha Ida Temali.
*Ky material është pjesë përbërëse e arkivës së Televizionit Klan për periudhën 1998-2012 që do të publikohet në kanalin e ri në YouTube /RTV Klan Arkiv. /tvklan.al