Detaje të reja janë zbardhur nga mediat greke në lidhje me vrasjen e 40-vjeçares shqiptare, Enkeleida Danaj, në Greqi. Ajo u godit me një thikë në bark dhe u la e vdekur në mes të rrugës në Menidi. Zougla ka mësuar se vetëm pak ditë më parë, viktima kishte denoncuar bashkëshortin e saj, Eduard Danaj, për dhunë fizike, lëndime në trup, kërcënime dhe ofendime.
Dyshimet sipas policisë janë që autori i vrasjes së shqiptares të jetë pikërisht 50-vjeçari. Më 7 Maj, viktima e kishte denoncuar bashkëshortin se e ka kapur prej fyti, i ka lënduar krahun, ka abuzuar me të dhe e ka kërcënuar. Dëshmitare e dhunës ka qenë edhe vajza e tyre, e cila po ashtu është sulmuar nga i ati.
Nënë e bijë konfirmuan për policinë se të dyja kishin përjetuar sulme të tilla edhe në të shkuarën nga 50-vjeçari. Viktimës i ishte ofruar “mbështetje morale” dhe të transferohej një ambient mikpritjeje për gratë e dhunuara. Atyre i ishte ofruar edhe “Butoni i Panikut”*, të cilin viktima e pranoi, por nuk pati kohë ta aktivizonte.
Zougla thekson se autori i dyshuar i kësaj ngjarje do të dilte të premten para gjykatës në lidhje me sulmin ndaj ish-gruas dhe vajzës.
Por viktima ka edhe një listë tjetër të gjatë denoncimesh ndaj Eduard Danajt. Edhe në Prill të vitit 2023 ajo e kishte kallëzuar partnerin. Po ashtu në Shtator 2022 ajo e kishte denoncuar për dhunë dhe asokohe Eduard Danaj ishte arrestuar. Sipas raportimeve kishte një urdhër gjykate që çifti të mos jetonte në të njëjtën banesë, por viktima mendohet se ka pranuar që bashkëshorti të kthehej në shtëpinë e tyre që në vitin 2018.
Trupi i pajetë i viktimës u pikas nga një kalimtar i rastit në një kryqëzim në Menidi. Mediat greke shkruan se 40-vjeçarja u gjet me thikën të ngulur në bark. Enkeleida ishte nisur në punë ku mendohet se autori i ka zënë pritë. Ai e goditi me thikë në stomak dhe më pas u zhduk. Krahas viktimës u gjet çanta me sendet e saj personale. Ndërkohë policia po këqyr kamerat e sigurisë si dhe po kërkon për dëshmitarë për të zbuluar më shumë rreth dinamikës së ngjarjes.
*”Butoni i Panikut” është një aplikacion që përdoret në Greqi për të ndihmuar femrat që përballen me dhunën në shtëpi. Ky aplikacion shkarkohet në celular dhe aktivizon shërbimin kur shtyp një buton dhe dërgon një mesazh në qendrën operacionale të policisë. Aplikacioni përmban informacionin e nevojshëm për të lokalizuar përdoruesin.
/tvklan.al