Numri i infeksioneve respiratore është ulur në rreth 16 mijë në javë, nga gati 24 mijë që ishin në fillim të Shkurtit. Mjeku epidemiolog, në Institutin e Shëndetit Publik, Artan Simaku, tha se pavarësisht se piku ka kaluar, qarkullimi i infeksioneve respiratore është prezent në popullatë.
“Aktualisht, java që kaloi u mbyll me 16 mijë raste, pra infeksione respiratore të sipërme dhe të poshtme dhe trendi vazhdon çdo ditë e në ulje. Kështu që gripi qarkullon me bashkëqarkullim të covidit dhe virusit respirator sesencial dhe të ashtuquajtura virozave të tjera respiratore, po të cilat qarkullojnë në një nivel shumë më të ulët sesa gripi”, tha mjeku Artan Simaku.
Shtrimet në spital, pavarësisht uljes së rasteve, mbeten konstante, ndërsa deri më tani janë regjistruar dy humbje jete.
“Kemi patur dy fatalitete të moshës mbi 60 vjeç me sëmundje kronike shoqëruese, diabet dhe sëmundje kardiovaskulare, nga të cilët njëri ishte i pavaksinuar. Karakteristikë që numri i shtrimeve vazhdon i qëndrueshëm, pra nuk ka rritje. Tek fëmijët janë rreth 20 shtrime në javë, ndërsa tek të rriturit janë rreth 50 shtrime”, tha Simaku.
Veç Tiranës, intensitet më të lartë të infeksioneve ka në Dibër dhe sipas epidemiologut përhapje më të madhe është tek të rinjtë.
“Momentalisht vërehet një kulm në grupmoshën pediatrike, pra 0-15 vjeç, por gjithashtu dhe në grupmoshën e re të shëndetshme, pra 20-33 vjeç. Qarkullim më i madh, më intensiv vërehet në qarkun e Dibrës, të Lezhës, të Tiranës edhe të Fierit”, tha Simaku.
Qarkullimi i infeksioneve respiratore në popullatë do të vijojë deri në fund të muajit Mars, edhe pse rastet do të vinë duke u ulur gradualisht nga java në javë.
Klan News