Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili është arrestuar që nga data 10 Shkurt, i ka dërguar një letër Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë ku i kërkon pezullimin nga detyra tё prokurorit Olsi Dado, lidhur me shkeljet që sipas kryebashkiakut, ai ka kryer në shqyrtimin e çështjes penale në ngarkim të Veliajt.

Kryebashkiaku Veliaj, në kërkesën e tij, tregon për konfliktin e interesit që sipas tij prokurori Olsi Dado ka në çështjen e hetimit ndaj kryebashkiakut.

Veliaj thotë se prokurori Ols Dado është në konflikt interesi në lidhje me një ndërtim në kryeqytet, leja e të cilës është marrë në Bashkinë e Tiranës por që i ishte refuzuar miratimi i kateve shtesё. Pas këtij refuzimi, thotë Veliaj, prokurori “iu vёrsul” me shprehje kёrcёnuese e shantazhuese.

“Kërkoj: Fillimin e procedurave për procedimin disiplinor ndaj prokurorit, zotit Ols Dado, lidhur me shkeljet e kryera në shqyrtimin e çështjes penale në ngarkim të personit tim, Erion Veliaj. Marrjen e masës disiplinore ndaj tij dhe pezullimin nga detyra”, thuhet ndër të tjera në kërkesën e Veliajt.

/tvklan.al