Sëmundjet tumorale janë një problem shqetësues për shëndetin publik në Shqipëri, pasi renditen si faktori i dytë i vdekshmërisë së popullsisë pas sëmundjeve kardiovaskulare. Gjatë një viti, në vendin tonë diagnostikohen 6700 raste të reja me kancer.

“Ka një rritje të lehtë të shfaqjes së rasteve të reja me kancer në vendin tonë, një rritje e cila është konfirmuar sidomos në vitet e fundit pas pandemisë. Ne jemi të përgatitur që kjo prirje e lehtë në rritje të vijojë në të ardhmen. Me gjasë e lidhur me plakjen e popullatës, por edhe me ndryshimin e stilit të jetesës”, tha Alban Ylli.   

Mes tumoreve më të përhapura, shqetësuese për mjekun është kanceri i mushkrive dhe ai i gjirit.

Kanceri i mushkërive, kanceri i gjirit, kancerat e lëkurës, janë kancerat më të shpeshtë në vendin tonë. Të tre së bashku përbëjnë rreth 40% të të gjitha kancerave. Ka kancera të tjerë të shpeshtë si kanceri i zorrës së trashë, kanceri i stomakut, kancerat e gjakut, të mitrës, të vezoreve, kanceri i vezigës urinare”, tha Ylli. 

Një incidencë të lartë në Shqipëri ka dhe kanceri i stomakut, ndërsa në rritje po vjen edhe ai zorrës së trashë.

“Janë të dy kancera të traktit digjestiv, por janë shumë të ndryshëm. Kanceri i stomakut është një kancer që konsiderohet tradicional. Është një kancer i vendeve më pak të industrializuara dhe i cilësisë së ushqimit e cila lidhet me ushqimin tradicional, sidomos ata shumë të kriposur. Ushqimet e ruajtura me kripë, turshitë, pastërmatë, etj, akuzohen si shkaktarë të këtij kanceri, ndërkohë që kanceri i zorrës së trashë është një kancer i shoqërive moderne. Po rritet me shpejtësi në Shqipëri, është e qartë, është e dukshme. Është i lidhur me mishin e përpunuar në mënyrë industriale”, tha Alban Ylli.

Por cilat janë këshillat e mjekut?

“Çdo person që pi duhan duhet të lërë duhanin. Është vendimi më i madh për shëndetin e tij, risqe të tjera të rëndësishme të cilat përgjithësisht janë neglizhuar lidhur me kancerat është alkooli. Së treti, ushqyerja, është një nga shkaktarët më të mëdhenj të kancerave. Duhet të hamë në mënyrë të shëndetshme, ushqim të freskët. Padyshim që duhet të merremi me aktivitet fizik, duhet të kontrollojmë peshën tonë. Personat që merren me aktivitet fizik e ulin riskun e tyre lidhur me kancerin”, tha Ylli.     

Ministria e Shëndetësisë për t’u ardhur në ndihmë grave ka vendosur që jo vetëm në tetor, por gjatë gjithë vitit të ofrohet mamografia falas pa rekomandim sipas qarqeve, në spitalet rajonale.

Klan News