Shumë shpejt Instituti i Shëndetit Publik do të ketë korpusin e laboratorëve të referencës me një hapësirë bashkëkohore prej 2900 m².

Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale pamje nga ky kantier, një investim i cili do të garantojë trefishim të kapaciteteve laboratorike dhe rritje në nivel më të lartë të biosigurisë sipas standardeve të Bashkimit Evropian.

Nga ana tjetër, me rritjen e kapaciteteve do të mundësohet që të kryhen rreth 35 mijë ekzaminime laboratorike në situata normale, dhe disafish në situata problematike apo epidemiologjike.

Gjithashtu, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, ky investim pranë ISHP me buxhetin e shtetit përmirëson po ashtu parandalimin dhe kontrollin e sëmundjeve, rrit sigurinë shëndetësore kombëtare dhe forcon kërkimin shkencor në mbrojtje të shëndetit të qytetarëve.

Laboratorët do të pajisen edhe me aparatura të teknologjisë së fundit dhe me kushte bashkëkohore pune për ekspertët dhe stafin e Institutit të Shëndetit Publik duke garantuar përgjigje sa më efektive, në kohë dhe të sigurta për shëndetin publik.

Gjithashtu, me mbështetjen e buxhetit të shtetit do të rikonstruktohet edhe godina qendrore e Institutit të Shëndetit Publik.

Klan News