Inteligjenca artificiale mund të jetë dy herë më e saktë se metodat aktuale për të përcaktuar kohën kur ndodh një goditje në tru tek një pacient.

Përdorimi i teknologjisë për të lexuar skanimet e trurit të njerëzve që kanë pasur goditje në tru mund të lejojë që deri në më shumë 50% të pacientëve të trajtohen siç duhet, thonë studiuesit.

Ekipi që qëndron pas këtij softueri pretendon se është më i saktë se metodat aktuale.

“Ne jemi të interesuar të ndihmojnë sa më shumë njerëz që vuajnë nga goditja në tru. Ka disa lloje trajtimesh për këto raste por t’i duhet të veprosh shpejt. Problemi është se ne shumë herë nuk e dimë kohën kur ndodh goditja në tru. Progresi i sëmundjes është në nivele të ndryshme, tek disa është shumë i shpejtë ndërsa për disa të tjerë shumë i ngadaltë. Sfida është të dish kur ndodhi goditja në tru dhe sa shpejt po përparon ajo. Kjo na ndihmon ne që të japim trajtimin apo medikamentet e duhura”.

Aktualisht, pacientët që mbërrijnë në spital me një goditje të dyshuar në tru i nënshtrohen menjëherë një skanimi CT, të cilin mjekët e shqyrtojnë vizualisht për të vlerësuar se sa të errëta janë zonat e prekura, të quajtura lezione, në tru.

Lezionet më të errëta nënkuptojnë se goditja në tru ka përparuar më tej. Nga kjo ata bëjnë një vlerësim se kur ka ndodhur goditja dhe nëse mund të jetë e rikuperueshme.

Ky informacion përdoret më pas për të marrë vendime për trajtimin që i duhet dhënë pacientit.

“Ajo që ne shikojmë në skanim është në mungesë të një termi më të mirë, një pikë. Dhe njolla duket si një rreth gri. Dhe për momentin, ne gjykojmë se sa e errët është kjo pikë. Kur një person pëson fillimisht një goditje në tru, në orën e parë, kjo pikë është pothuajse e  padukshme dhe më pas gjatë orëve në vijim, bëhet gjithnjë e më e errët”.

Kur u testua në pothuajse 2000 pacientë të ndryshëm, duke përfshirë pacientë nga Imperial College Healthcare NHS Trust, studiuesit zbuluan se softueri kishte saktesi të lartë.

Ata besojnë se kjo është për shkak se përfshin veçori shtesë nga skanimet, të tilla si tekstura dhe variacionet brenda lezioneve dhe sfondit. Ai nuk ishte vetëm i mirë në vlerësimin e kohës kronologjike të goditjes, por edhe moshës biologjike të lezioneve.

“Pra, jo vetëm që mund të na ndihmojë të kuptojmë se kur filloi goditja dhe nëse trajtimet janë të përshtatshme, por gjithashtu mund të na ndihmojë të kuptojmë se çfarë do t’i ndodhë atij personi në të ardhmen. Ne mund t’i tregojmë pacientit dhe të afërmeve se cilat jane mundesine per tu sheruar. I gjithë informacioni analitik që ne mund të nxjerrim nga skanimet është shumë më tepër nga sa kishim mundur të bënim më parë”.

Dr Bentley, i cili është gjithashtu një neurolog në Imperial College Healthcare shpjegon përfitimet e këtij softueri.

“Nga llogaritjet tona rezulton se rreth 50%  e pacientëve do të trajtohen me ilaçet e duhura në rast emergjence. Ato trajtime përfshijnë një ilaç për shkatërrimin e mpiksjes ose një nderhyrje kirurgjikale. Teknika jonë rrit me 50 % shanset për t’i dhënë trajtimin e duhur pacientëve në kohën e duhur”.

Një goditje ndodh kur furnizimi me gjak në një pjesë të trurit bllokohet ose zvogëlohet, duke parandaluar që indet e trurit të marrin oksigjen dhe lëndë ushqyese. Qelizat e trurit më pas fillojnë të vdesin shpejt.

Ky zhvillim teknologjik premton diagnozë dhe trajtim më të shpejtë, më të saktë, duke përmirësuar përfundimisht rezultatet për pacientët me goditje në tru në mbarë botën.

Klan News