Gramoz Pashko ka qenë një prej figurave të njohura të jetës politike në Shqipëri dhe të Partisë Aleanca Demokratike.

Pas mungesës në fushatën e vitit 1997, Pashko u rikthye në politikë në vitin 2001 dhe kandidoi në Vorë. Në një intervistë për emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu, realizuar më 18 Qershor të vitit 2001, Gramoz Pashko tha se kishte zgjedhur zonat rurale për të kandiduar, sepse kishte një gjuhë komunikimi të përbashkët me ta.

Ai po ashtu tha se e kishte personalizuar fushatën dhe se nuk shkonte në takimet me qytetarët me flamur partiak, por me komunikim direkt.

“Kandidimin tim në Vorë nuk e quaj të vështirë. Unë rimarr një mesazh që pata nisur në 1996, pasi në 1997 nuk kandidova, sepse nuk doja të bëhesha kontur i një sallate që nuk më pëlqente. Rikandidova me të njëjtin mesazh që pata fituar edhe në ‘96 në atë zonë. Kam zgjedhur zonat rurale, sepse kam një gjuhë komunikimi me ta, më dhimbsen dhe dua t’i ndihmoj. Unë e personalizoj fushatën, nuk shkoj atje me flamur partiak apo doktrina të mëdha, por me një komunikim direkt. Unë e nuk e shoh veten si elita e fshatit, por si djalë qyteti që do të krijojë miqësi në fshat, dua të jem i barabartë me ta”.

“Njerëzit kanë besim tek lidershipi dhe ky lidreship nuk iu ka sjellë gjë. Ka një dallim mes politikës që ka ndjekur Aleanca për Shtetin në aspekte të mëdha dhe politikës që është ndjekur në atë zonë. Përsa i përket Aleancës Demokratike mund të them që ka hyrë në fushatë pa një platformë, e shpërndarë për shkak të historive të brendshme, të cilat i kemi diskutuar. Kudo që unë shkoj dhe mblidhem me elektoratin, më kërkojnë llogari për atë që nuk është bërë nga paraardhësit e mi. Elektorati shqiptar ka një zgjedhje, nuk e di se sa e madhe do të jetë kjo zgjedhje, por do të jetë një vazhdimësi e asaj që ka qenë. Nuk mendoj se duhet të jesh patjetër pjesë e një partie të madhe që të bësh punë dhe të ndikosh në progresin e vendit”.

“Me Berishën jam takuar në pritjen e Ambasadës Greke, kishim mbi 7 vjet që nuk ishim takuar ose kishim evituar takimet me njëri-tjetrin. Berisha më ftoi të bashkohesha me të dhe në mënyrë krejtësisht normale dhe unë iu përgjigja se nuk bashkohesha dot me të. Unë duhet të votohem në këto zgjedhje për atë që kam bërë ose s’kam bërë dhe nuk mund të bëj një kthesë të tillë duke dalë kundra asaj për të cilën kam punuar 4 vite. Unë nuk do bashkohem me Berishën, është e freskët në kujtesën time ndarja që u bë. Unë hyra në parti duke ia ngritur vlerat, ndërsa Berisha e konsideronte se më kishte bërë nder mua. Për disa kohë qëndrova si deputet i vetëm në Parlament dhe ishte Nano me shokët e tij ai që më tërhoqi”, tha Pashko. /tvklan.al