Pavarësisht një frenimi të lehtë në periudhën Korrik-Shtator të këtij viti, fluksi i investimeve të huaja direkte kapi vlerën e 412 milionë Eurove, sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë.

Përgjatë 3-mujorit të tretë të vitit flukset valutore hyrëse në formën e investimeve të huaja direkte ishin të përqendruara kryesisht në pasuri të paluajtshme në masën 20%, në sektorin e ndërmjetësimit financiar në masën 19%, ndërsa në masën 14% dhe 11% përkatësisht për hidrokarburet dhe sektorin e energjetikës.

Sipas të dhënave zyrtare, pasuritë e paluajtshme vazhdojnë të jenë mbështetja kryesore për rritjen e investimeve të huaja direkte në vendin tonë. Llogaritet se këto investime në pasuri të paluajtshme për 9-mujorin e 2024 arritën vlerën e 263 milionë Eurove ose me rritje me 18.5% krahasuar me 9-mujorin e vitit 2023.

Referuar të dhënave të Bankës së Shqipërisë investimet e huaja direkte vijojnë të mbeten në nivele të larta historike në periudhën afatgjate, pasi në periudhën Janar-Shtator të këtij viti vlera progresive e këtyre investimeve arriti në 1.16 miliardë Euro ose 6.6% më e lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të 2023.

Nga ana tjetër edhe fitimi i riinvestuar është zgjeruar me 15% në terma vjetore dhe arriti vlerën e 233 milione Eurove në 3-mujorin e tretë të 2024. Fitimet e riinvestuara përbënin 57% të fluksit total të invetimeve të huaja direkte për tremujorin e tretë, ndërsa injektimi i kapitalit të ri u vlerësua me 178 milionë Euro.

Klan News