Investimet e kompanive me kapital turk arritën vlerën e 146 milionë eurove përgjate 6-mujorit të parë të vitit 2024 në vendin tonë sipas të dhënave zyrtare të Bankës së Shqipërisë. Referuar këtyre shifrave, Turqia renditet e para me një rritje prej 115% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë sa i përket këtyre investimeve.
Stoku i investimeve turke në fund të qershorit të këtij viti ka arritur në 1.16 miliardë euro, rritje me 88% krahasuar me mesin e 2023. Investitori i dytë më i madh edhe për këtë vit vazhdon të jetë Italia, me një fluks total prej 95 milionë eurosh edhe pse investimet italiane kanë rënë me 11% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe orientohen sidomos në aktivitetet e shërbimeve. Stoku i investimeve italiane ka arritur tashmë në 1.59 miliardë euro sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë.
Edhe pse Holanda ka zbritur nga froni i investitorit kryesor të huaj në Shqipëri këtë vit, ajo tashmë renditet në vendin e tretë me një peshë investimesh prej 61 milionë euro, 52% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Pas Holandës, renditen Franca dhe Austria përkatësisht me 53 milionë euro dhe 50 milionë euro investime në Shqipëri.
Nga ana tjetër një peshë të rëndësishme zënë edhe investimet e huaja direkte në pasuri të paluajtshme të cilat arritën vlerën e 181 milionë eurove, në rritje me 43% krahasuar me 6-mujorin e 2023 bazuar në të dhënat e Bankës Qendrore.
Sipas ekspertëve përzgjedhja e Shqipërisë si destinacion turistik, kosto më e ulët e jetesës dhe çmimet relativisht më të lira krahasuar me tregjet konkurrente kanë shtyrë shtetasit e huaj të investojnë në prona në Shqipëri, e sidomos në zonat më të lakmuara si ato bregdetare.
Klan News