Një zëdhënës i koncernit Google tha se së shpejti në hartat online do të ndryshohen emrat e Gjirit të Meksikës dhe të malit Denali në Alaskë.


Google Maps do të përdorë në të ardhmen për Gjirin e Meksikës emërtimin Gjiri i Amerikës. Emërtimi i ri do të shfaqet në hartat elektronike brenda territorit të SHBA-së, kurse në Meksikë do të vazhdojë të shfaqet emërtimi Gjiri i Meksikës. Në vendet e tjera përdoruesve të Google Maps do t’u shfaqen të dy emrat.

Një zëdhënës i Google tha se ndryshimi është në përputhje me “praktikën e gjatë të Google-it për të përdorur emrat e ndryshuar, nëse ata ndryshohen në burimet zyrtare të qeverisë”.

Zyrtarë të SHBA-së njoftuan se edhe emri i majës më të lartë të Amerikës së Veriut, Denali në Alaskë, është ndryshuar përsëri në malin McKinley. Google njoftoi se do ta ndryshojë edhe emrin e Denalit në Google Maps.

Emërtimi i majës më të lartë malore të Amerikës së Veriut ka qenë një çështje e debatuar për shumë vite. Administrata e Obamës vendosi në vitin 2015 që zyrtarisht ta quajë majën Denali, i cili është emri që përdornin dikur popujt indigjenë të Alaskës.

Grupet indigjene të Alaskës, të cilët janë angazhuar prej vitesh për ndryshimin e emrit nga McKinley në Denali, e kritikuan vendimin e presidentit Trump.

Deklarata e presidentit Trump për ndryshimin e emrit të Gjirit të Meksikës, u shoqërua me sarkazëm nga Meksika.

Presidentja meksikane Claudia Sheinbaum sugjeroi riemërtimin e Shteteve të Bashkuara në “Amerika Meksikane”, duke treguar një hartë nga koha para se Shtetet e Bashkuara të konfiskonin një të tretën e Meksikës në vitin 1848./DW