Qindra qytetarë u mblodhën në qendër të Teheranit për 45-vjetorin e kapjes së Ambasadës Amerikane dhe marrjes peng të diplomatëve amerikanë në vitin 1979. Ata mbanin flamuj iranianë dhe palestinezë, por edhe flamuj të grupit militant Hezbollah, e cila mbështetet nga Republika Islamike.
Shumë prej tyre mbanin pankarta që lexonin “Vdekje Amerikës” dhe “Vdekje Izraelit”. Qytetarët të cilët iu bashkuan kësaj ngjarje reflektuan edhe për konfliktin midis Izraelit dhe Iranit.
“Për mendimin tim Irani duhet t’i përgjigjet Izraelit sepse sa më gjatë të mos e bëjë, aq më shumë Izraeli do të shtypë dhe vrasë më shumë palestinezë dhe liderë të Hamasit, Palestinës dhe Hezbollahut.”
Më 4 nëntor 1979, një grup studentësh që mbështesnin Revolucionin Islamik sulmuan Ambasadën Amerikane në Teheran, duke thënë se ajo ishte një strehë spiunësh. Studentët kërkuan që SHBA të ekstradonte monarkun Mohamed Reza Shah, i cili po kurohej për sëmundjen e kancerit në këmbim të lirimit të pengjeve. Kriza përfundoi pas 444 ditësh, pas vdekjes në Egjipt të monarkut Iranian, me lirimin e 52 diplomatëve amerikanë.
Uashingtoni më pas ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Teheranin, të cilat nuk janë rivendosur që atëherë dhe vendosi një embargo. Protesta e iranianëve vjen në një kohë kur Izraeli, një armik i betuar i Republikës Islamike, është në luftë me disa nga aleatët e Iranit: kundër Hezbollahut dhe Hamasit në Gaza.
Në këtë të fundit nga sulmet e reja kanë ndërruar jetë të paktën 23 persona. Palestinezët thanë se ofensivat e reja ajrore dhe tokësore dhe evakuimet e detyruara janë spastrim etnik. Ofensiva ushtarake e Izraelit në veri të Gazës po dëmton fushatën e vaksinimit kundër sëmundjes së poliomielitit për mijëra fëmijë në Jabalia, Beit Lahiya dhe Beit Hanoun.
Klan News