Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe stafi tjetër i OKB-së ishin të pranishëm në aeroportin ndërkombëtar të Jemenit në Sanaa të enjten, gjatë sulmeve ajrore izraelite të cilat raportohet se kanë vrarë të paktën gjashtë persona.
Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, u shpreh se ata po bëheshin gati për të hipur drejt aeroplanit, në momentin që filluan sulmet. Agjencia e lajmeve “Saba”, e drejtuar nga Houthi, njoftoi se tre persona u vranë në aeroport dhe 30 të tjerë mbetën të plagosur. Është thënë gjithashtu se dhe në provincën perëndimore Hodeidah, u vranë tre persona dhe u plagosën 10 të tjerë.
Grupi rebel i mbështetur nga Irani i përshkroi sulmet, të cilat goditën gjithashtu stacionet e energjisë elektrike dhe portet, si barbare. Ushtria izraelite tha se kreu sulme të bazuara në inteligjencë ndaj objektivave ushtarakë.
Në një deklaratë të bërë publike përmes platformës “X”, Dr Tedros komunikoi se ai ishte në Jemen për të negociuar lirimin e të burgosurve të stafit të OKB-së dhe për të vlerësuar situatën shëndetësore dhe humanitare në vend. Ai nuk dha detaje të mëtejshme se cilët ishin të arrestuarit e OKB-së.
“Kulla e kontrollit të trafikut ajror, salloni i nisjes, vetëm pak metra larg vendit ku ishim – dhe pista u dëmtuan. “Ne do të duhet të presim që dëmtimi i aeroportit të riparohet përpara se të largohemi,” shtoi Dr. Tedros.
Në anën tjetër, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres i quajti sulmet alarmante.
“Më vjen keq për përshkallëzimin e fundit mes Jemenit dhe Izraelit. Mbetem thellësisht i shqetësuar për rrezikun e përshkallëzimit të mëtejshëm në rajon”, shkroi Guterres në X.
/tvklan.al