Irani ka deklaruar se do të hapë një klinikë për gratë që shkelin ligjin e hixhabit sipas të cilit ato duhet të mbulojnë kokën në publik.
Hapja e një “klinike trajtimi të heqjes së hixhabit” u njoftua nga Mehri Talebi Darestani, shefja e Departamentit të Grave dhe Familjes së Zyrave të Teheranit për Promovimin e Virtytit dhe Parandalimin e Vesit. Ajo tha se kinika do të ofrojë “trajtim shkencor dhe psikologjik për heqjen e hixhabit”.
Gratë iraniane dhe grupet e të drejtave të njeriut kanë reaguar me zemërim ndaj njoftimit.
Sima Sabet, një gazetare që vitin e shkuar ishte shënjestra e një atentati, tha se kjo lëvizje është “e turpshme”, duke shtuar se: “Ideja e ngritjes së klinikave për të ‘kuruar’ gratë epambuluara është rrëqethëse, ku njerëzit ndahen nga shoqëria vetëm sepse nuk i binden ideologjisë në pushtet”.
Një avokat për të drejtat e njeriut, Hossein Raeesi tha se ideja e një klinike për të trajtuar gratë që nuk i binden ligjit të hixhabit “s’është as islamike dhe as në përputhje me ligjin iranian”. Ai shtoi se edhe fakti që deklarata vjen prej institucionit në fjalë është alarmant pasi ai drejtohet nga lideri suprem, Ali Khamenei.
Një vajzë e re që foli në kushtet e anonimatit u shpreh: “Nuk do të jetë një klinikë, do të jetë një burg. Ne mezi ia dalim dhe s’kemi elektricitet, por një cohë është gjithë çka shqetëson shtetitn. Nëse ka një moment që të gjithë ne të dalim në rrugë, është tani ose ata do të na burgosin”.
Njoftimi për hapjen e klinikës vjen pas lajmit se një studente u arrestua pasi doli në Teheran vetëm me të brendshme, si formë proteste pas sulmit nga rojet e universitetit që kishte shkelur ligjin e hixhabit dhe është transferuar në një spital psikiatrik./tvklan.al