Lajme Arkiva 2003

Ish-presidenti i republikës Rexhep Meidani ka thyer heshtjen duke folur publikisht për herë të parë që nga largimi i tij i postit të kryetarit të shtetit. Zoti Meidani është shprehur i shqetësuar për zhvillimet politike, ekonomike dhe sociale në vend duke deklaruar hapur kontestimet e tij ndaj qeverisë Nano.

Sipas zotit Meidani, qeveria aktuale po bën më shumë “show” se sa reforma reale.

Rexhep Meidani: Një nga shqetësimet reale është pikërisht ai që lidhet me zhvillimin ekonomik të vendit dhe përgjithësisht po të shikosh treguesit, këta tregues nuk janë aq të mirë dhe duke pasur parasysh treguesin ekonomik do të thoja që ka probleme në qeverisje përsa i përket aftësisë menaxhuese, ekzekutimit pa humbje kohe. Pra shikojmë më shumë deklarime, një farë show mediatik, shikoj shumë fjalime, por efektiviteti përgjithësisht është i ulët dhe ky është një shqetësim jo vetëm i imi por edhe i qytetarit shqiptar që e prek realitetin konkret.

Zoti Meidani i evidentuar tashmë si një faktor potencial dhe me mbështetje në gjirin e Partisë Socialiste, pas kritikave të tij për kabinetin aktual nuk përjashton as mundësinë e ndryshimit të qeverisjes.

Rexhep Meidani: Mendësia në qeverisje duhet të jetë tjetër, trysnia mbi struktura të tjera të shtetit shqiptar nuk duhet të ekzistoj, në momente të caktuara mund të dali nevoja për ndryshime qeverisje, natyrisht kjo është përgjegjësi e institucioneve përkatëse, është përgjegjësi edhe e vetë mazhorancës parlamentare dhe në momentin që ata do të gjykojnë ata do të marrin vendimet përkatëse.

Së fundi ish-presidenti Meidani ka dënuar presionet që po ushtron qeveria ndaj mediave të pavarura. Ai i ka bërë thirrje politikës që të mos cenoj lirinë e fjalës.

Rexhep Meidani: Uroj që trysnitë, nëse këto trysni kanë qenë të pranishme, këto të zhduken nga mendja politike, qoftë pozitë, qoftë opozitë. Në mënyrë të veçantë nuk duhet të ekzistojnë fare ë mendjen e individëve që kanë edhe pushtet. Uroj që media jonë të zhvillohet e lirë dhe i uroj njëkohësisht edhe Tv Klan që të punojnë në pozita neutrale për emancipimin e shoqërisë shqiptare duke marrë pjesë në shqetësimin kryesor aktual të Shqipërisë në zhvillimin normal ekonomik./tvklan.al