Arta Dade ka një karrierë të gjatë politike dhe ndonëse nuk është më e angazhuar në Partinë Socialiste, ajo vijon të jetë aktive. Kjo është një nga format që Dade ka zgjedhur për të vazhduar t’i shërbejë vendit e që e sugjeron edhe për të rinjtë të cilët dëshirojnë të kontribuojnë.

Përgjatë bisedës në programin  “Aldo Morning Shëo” në Tv Klan,  politikania analizoi sfidat, problematikat dhe gabimet që bëjnë të rinjtë në mjedisin e politikës. Ajo theksoi disa herë ndjekjen e modeleve të liderëve të partive në përpjekje për të siguruar mirëqenie vetjake. Duke marrë në konsideratë formimin dhe karrierën e saj politike, moderatori Aldon Lipe e pyet nëse të rinjtë, e sidomos ata që u përkasin partive të tjera, kanë kërkuar ndihmë nga ajo.

Dade u përgjigj se një rast ka qenë Belind Këlliçi,  me të cilin kanë edhe fqinjësi. Ajo zbuloi disa  prej kritikave ndaj tij duke iu rikthyer ndjekjes së modeleve të vjetra. Sipas saj, të rinjtë duhet të sjellin modele të reja e frymëzuese për të fituar mbështetje dhe parashikon që partitë e reja mund të kenë një shans në zgjedhjet që vijnë, por sistemi aktual i kufizon.

Arta Dade: Po të jap një rast tani me Belind Këlliçin që fëmijët e mi janë rritur me të se kemi qenë fqinj. Para se të angazhohej në politikë patëm një bisedë dhe sigurisht që e kam inkurajuar që të merrej me politikë.

Aldo: Ai tha që do të shkoj te PD direkt, ti e dije që do të shkonte te PD?

Arta Dade: Po, po patjetër sepse e di që edhe prindërit, edhe familja kanë qenë mbështetës të Partisë Demokratike, nuk ka pasur lidhje. Ndoshta kjo ka të bëjë meqenëse kemi qenë fqinjë me të, ka qenë rastësi. Në fakt unë takoj edhe të rinj nga PD…

Aldo: Ke takuar apo të kanë kërkuar për të marrë mendje?

Arta Dade: I kam takuar dhe i kam inkurajuar sepse sa më shumë të rinj të jenë në të gjitha forcat politike, aq më shumë do të jenë në të mirë të vendit. Po flas për ata të rinj që kanë pasionin të merren me politikë, nuk kanë si model modelet e vjetra të cilat duhet t’i refuzojnë dhe këtu ka qenë një nga kritikat që unë kam pasur edhe për Belind Këlliçin spese një djalë i ri kur vjen në politikë nuk mund të sillet më me ato modelet e liderëve të vjetër që nuk kanë më ç’t’i sjellin Shqipërisë.

Aldo: Pra është zgjatim i brezit që ishte.

Arta Dade: Absolutisht. Në qoftë se të rinjtë, sidomos në opozitë do të krijonin ato modele të reja, do të viheshin në krye unë them që do të kishin një mbështetje më të madhe nga opinioni publik. Në këtë gjendje siç është sot opozita, patjetër që do të vazhdojë Edi Rama të marrë mandatin e katërt dhe kjo s’është shumë e shëndetshme për demokracinë sepse rotacioni në një shoqëri demokratike është i domosdoshëm dhe këtë ndryshim duhet ta sjellin të rinjtë meqenëse kanë vendosur të merren me politikë, ata nuk duhet të ndjekin shembujt e vjetër të cilët në përgjithësi opinioni publik i ka refuzuar. Kjo  vlen edhe për të rinjtë e opozitës, kjo vlen edhe për të rinjtë e mazhorancës, kjo vlen edhe për të rinjtë që kanë krijuar partitë e reja të cilët kanë një shans në zgjedhjet që do të vijnë, por në sistemin zgjedhor  që kemi mua më duket që shanset janë shumë të kufizuara edhe për partitë e reja sepse ka një vëmendje për to nga ana e të rinjve, në mënyrë të veçantë nga sistemi. Njerëzit i shikojnë pak me skepticizëm për arsye se sistemi që kemi favorizon dy partitë e mëdha dhe këtu është për të ardhur keq./tvklan.al