Silva Bino: Mostrat do të dërgohen në laboratorin e Berlinit, nuk bëhen tek ne
Edhe në vendin tonë po hetohet për rastet e mutacionit të ri të Covid-19, si ai britanik apo afrikan. Këtë e konfirmoi në “Milori Live” në Klan News, Silva Bino, shefe e epidemiologjisë në ISHP.
“Ne kemi hetuar dy raste të cilat kanë patur kontakte me virusin britanik dhe aktualisht ne nuk kemi gjetur një sinjal, sepse ne nuk bëjmë sekuencim, por ne gjejmë një sinjal. Një sinjal të tillë nuk e kemi gjetur. Megjithatë jemi duke hetuar edhe për një rast tjetër në lidhje me virusin e Afrikës së Jugut”.
Duke qenë se rastet e të prekurve me Covid po shtohen dita-ditës gjithnjë e më shumë, Bino shprehet se është dakord për shtrëngim masash.
“Unë gjithmonë jam partizane për ashpërsimin e masave, pavarësisht se marr edhe mesazhe shumë kërcënuese shpesh herë nga qytetarët, që pse na mbyllët, çfarë jeni etj., etj., në Facebook, në mediat sociale. Por unë mendoj që këto kemi në dorë aktualisht.
Java e parë e muajit Shkurt ka shënuar raste të shumta infektimesh dhe viktimash, ndaj autoritetet bëjnë apel për më shumë kujdes.
Klan News