Italia u zhyt në recesion në tremujorin e fundit të vitit të kaluar. Shifrat e Institutit Italian të Statistikave tregojnë se Prodhimi i Brendshëm Bruto ra në -0.2%, 0.1% nën nivelin e tre mujorit pararendës.
Recesioni për periudhën Tetor-Dhjetor 2018 arriti të njëjtin nivel të shënuar në tre mujorin e dytë të 2014-s, kur ekonomia italiane vuante pasojat e rënda të krizës së Eurozonës. Klima ekonomike është e pakrahasueshme me atë periudhë. Ndërsa Kryeministri Giuseppe Conte shpjegon arsyet.
“Analistët thotë se ekonomia do të vuajë pak në nisje të këtij viti. Kjo edhe për shkak të frenimeve edhe në ekonomitë e Kinës dhe Gjermanisë që po dëmtojnë eksportet italiane. Megjithatë, të gjithë treguesit flasin për një përmirësim në gjysmën e dytë”.
Një klimë e tillë ekonomike nuk e favorizon aspak koalicionin euroskeptik mes 5 Yjeve dhe Lega Nordit, me premtimet e tyre elektorale për shtimin e shpenzimeve buxhetore për të rritur pensionet dhe ndihmat ekonomike për të varfrit. Koalicioni Salvini-Di Maio u tërhoq nga projektbuxheti i kushtueshëm i paraqitur në Dhjetor, pas presionit të fortë të Brukselit që parashtroi rrezikun që Italia të bëhej shkak për një krizë të dytë të Eurozonës.
Tv Klan