Mosdekretimi i ratifikimit të marrëveshjes ndërmjet Maqedonisë dhe Greqisë nga ana e presidentit të Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, paraqet një barrierë shumë të madhe për realizimin saj, vlerësojnë ekspertët juridikë.

Pas miratimit nga ana e Parlamentit, presidenti i Maqedonisë, Ivanov, ka afat prej shatë ditësh që ta nënshkruajë dekretin për shpalljen e Ligjit për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Maqedonisë dhe Greqisë.

Por, presidenti Ivanov ka bërë të ditur se nuk e ka ndërmend ta dekretojë marrëveshjen, sepse, siç ka thënë ai, kjo marrëveshje është në dëm të Maqedonisë si shtet.

Ekspertët juridikë sqarojnë se nëse presidenti nuk e dekreton marrëveshjen, ajo kthehet në Parlament për herë të dytë dhe në këtë rast, presidenti është i obliguar ta nënshkruajë. Ata shtojnë se duke e pasur të qartë qëndrimin e tij kundër marrëveshjes, është e pritshme që ai të refuzojë ta dekretojë të njëjtin, siç është rasti me Ligjin e gjuhëve.

Trendafil Ivanovski, ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese thotë për Radion Evropa e Lirë se Kushtetuta është e qartë dhe Ivanovi ka të drejtë vetëm një herë të refuzojë që ta nënshkruajë marrëveshjen që ka marrë vizë nga shumica parlamentare.

Në rastin e dytë, presidenti është i “obliguar” ta nënshkruajë, megjithëse shton se në këtë drejtim ka hapësirë ligji dhe Ivanovi mund ta prolongojë dekretimin e marrëveshjes në afat të pacaktuar gjë që dëmton dhe procesin e realizimit të kësaj marrëveshjeje përmes së cilës synohet zhbllokomi i procesit të integrimeve.

“Refuzimi që ta nënshkruajë Ligjin e marrëveshjes Maqedoni-Greqi, do të thotë shkelje e rëndë e Kushtetutës. Presidenti i shtetit me veprimet e tij shkel rëndë parimet themelore të Kushtetutës dhe sundimit të drejtësisë dhe këtë ai e bën sepse e ka të qartë se kjo përbërje nuk mund të iniciojë votëbesimin e presidentit, sepse s’i ka numrat në Parlament”,

thotë Ivanovski.

Ai sqaron se për dallim nga ligjet që duhet të nënshkruhen edhe nga presidenti, ratifikimi i marrëveshjes bëhet akt i plotfuqishëm pasi të ketë marrë vizë nga shumica parlamentare, mirëpo për publikimin në Gazetën Zyrtare, megjithatë nevojitet nënshkrimi i presidentit.

Nga ana tjetër, Mersim Maksuti, ligjërues i së Drejtës Kushtetuese në Universitetin e Tetovës thotë për Radion Evropa e lirë seme rëndësi të veçantë është fakti obligimet e Greqisë nuk janë të lidhura për aktin e shpalljes së ligjit, por aktin e marrjes vizë të kësaj marrëveshjeje në Parlament, përkatësisht pas ratifikimit të Marrëveshjes, hapi i ardhshëm i takon Greqisë.

“Tani është Greqia ajo e cila pritet t’i njoftojë organet e institucioneve të Bashkimit Evropian dhe NATO-s, se Greqia si shtet, nuk do të bëjë pengesa sa i përket çeljes së negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë në BE, përkatësisht integrimin e Maqedonisë në NATO

”.

“Gjërat duhet të rrjedhin sipas marrëveshjes tanimë për të cilën kanë arritur ujdi Maqedonia dhe Greqia. Pra, hapi i radhës duhet të jetë nga pala greke dhe më pas Maqedonia duhet të realizojë obligimit e saj të marra në përputhje me këtë marrëveshje”,

thekson Maksuti.

Njohësit e çështjeve politike thonë se sfida e ardhshme gjatë realizmit të kësaj marrëveshjeje do të jetë organizimi i referendumit ngase është e pritshme që opozita maqedonase VMRO- DPMNE, të bëjë obstruksione si në organizimin e referendumit, madje edhe mund ta vë në pikëpyetje suksesin e saj nëse bën thirrje për bojkotim.

Problem më vete është dhe miratimi i ndryshimeve kushtetuese, për të cilat nevojiten dy të tretat e votave që për momentin nuk i ka të siguruara Qeveria e kryeministrit Zoran Zaev./REL