Forcat izraelite bombarduan shtëpitë në veri të Rripit të Gazës, duke vrarë të paktën 15 persona në qytetin Beit Lahiya.
Disa të tjerë u plagosën në sulm dhe shumë rezultojnë të zhdukur pasi një banesë ku ishin strehuar të zhvendosurit u shemb. Palestinezët thonë se ushtria izraelite po përpiqet të largojë njerëzit nga skaji verior i Gazës duke detyruar evakuime me forcë për të krijuar një zonë tampon.
Ndërkaq grupet rivale palestineze Fatah dhe Hamasi po diskutojnë në Kajro një propozim për rihapjen e kalimit kufitar Rafah për të përshpejtuar shpërndarjen e ndihmave.
Udhëheqësit e Hamasit vijojnë bisedimet me zyrtarët egjiptianë të sigurisë për një armëpushim në Gaza. Vizita e Hamasit në Kajro ishte e para që kur Shtetet e Bashkuara njoftuan të mërkurën se do të rifillojnë përpjekjet në bashkëpunim me Katarin, Egjiptin dhe Turqinë për të negociuar një armëpushim që do të përfshinte një marrëveshje pengjesh.
Këshilltari për sigurinë kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan, tha se ai mendonte se shanset për një armëpushim dhe marrëveshje pengjesh në territorin palestinez tani ishin më të mundshme.
Klan News