Forcat Ajrore të Izraelit vazhdojnë të godasin Sirinë, duke goditur portet dhe magazinat ku mbahen raketat në Latakia dhe Tartous.
Trupat tokësore izraelite po vijojnë të përparojnë në lartësitë e Golanit, duke zgjeruar efektivisht pushtimin e tyre. Grupet e të drejtave të njeriut kanë dhënë alarmin për përkeqësimin e kushteve në Sirinë verilindore, ku luftimet midis forcave të mbështetura nga Turqia dhe forcave kurde kanë zhvendosur më shumë se 100,000 njerëz.
Nga ana tjetër një ditë më parë, luftëtarët sirianë i kanë vënë zjarrin varrit të Hafez al-Assad në veri-perëndim të rajonit bregdetar Latakia. Në të ndodhen gjithashtu edhe varri bashkëshortes dhe djalit të madh të Hafez al-Assad
Ndërkaq Forcat rebele siriane po planifikojnë të mbyllin burgjet famëkeqe të drejtuara nga presidenti i rrëzuar Bashar al-Assad. Udhëheqësi rebel Abu Mohammed al-Jolani, tha gjithashtu se do të shpërndante forcat e sigurisë të regjimit të mëparshëm. Mes të tjerash Jolani tha se grupi i tij po punonte me organizatat ndërkombëtare për të siguruar vendndodhje të mundshme të armëve kimike që ato të mos bien në duar të gabuara.
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken ka nisur turin e tij në Lindjen e Mesme. Blinken synon të sigurojë konsensusin e udhëheqësve rajonalë mbi parimet kryesore për tranzicionin e qeverisë në Siri pas Assadit.
Ai tha se ato përfshijnë respektimin e plotë të të drejtave të pakicave, lehtësimin e ndihmës humanitare, marrjen e masave që Siria të mos bëhet një strehë për terrorizmin ose një kërcënim për fqinjët e saj dhe sigurimin dhe shkatërrimin e sigurt të rezervave të armëve kimike ose biologjike.
Ndërkaq rreth 108,200 kërkesa për azil nga qytetarët sirianë janë në pritje të një vendimi të shkallës së parë në të gjithë Bashkimin Evropian. Greqia u bë vendi i fundit i BE-së që pezulloi vendimet për azilin sirian. Më herët, Austria, Belgjika, Italia, Suedia, Danimarka dhe Mbretëria e Bashkuar njoftuan gjithashtu lëvizje të ngjashme.
Klan News