Donald Trump dhe Vladimir Putin do të bisedojnë të martën për fundin e luftës në Ukrainë. Shefi i Shtëpisë së Bardhë tha se me presidentin rus do të diskutojë për tokën, centralet e energjisë dhe ndarjen e disa aseteve, të cilat më pas do i shtrojë për diskutim me palën ukrainase.

Duke folur para gazetarëve gjatë fluturimit me avionin presidencial nga Florida në Uashington, Trump tha se ky ishte një moment shumë i mirë për t’i dhënë fund luftës, ndonëse nuk është i sigurtë nëse mund të arrihet kjo.

Trump po përpiqet të bindë Vladimir Putinin për një armëpushim 30-ditor, plan për të cilin arriti javën e kaluar të bindë Ukrainën. Në një intervistë të dielën, presidenti amerikan tha se nëse negociatat me Putinin dështojnë, ky do të ishte lajm i keq për botën.

Putin u shpreh javën e kaluar i hapur për armëpushim, por që ky të ishte afatgjatë. Moska refuzoi kategorikisht propozimin e Britanisë së Madhe dhe Francës, që armëpushimi në Ukrainë të mbikqyret nga forca paqeruajtëse perëndimore. Ndërkaq, ushtria ruse tha se po përparon me shpejtësi drejt rimarrjes nën kontroll të plotë të rajonit të Kurskut dhe ka nisur një ofensivë në rajonin kufitar verilindor ukrainas të Sumit.

Tv Klan