238 anëtarë të bandës “El Tren de Aragua” kanë mbërritur në El Salvador të Dielën, në sajë të marrëveshjes me Shtetet e Bashkuara. Siç bën me dije edhe Presidenti i El Salvador, Nayib Bukele, ata janë transferuar direkt në Qendrat e Paraburgimit të Terroristëve që njihen ndryshe si CECOT, për të paktën 1 vit.
CECOT është burg i sigurisë së lartë që qeveria Bukele e ka ndërtuar 3 vjet më parë, në një zonë rurale në juglindje të El Salvador të quajtur Tecoluca.

Në të mbahen aktualisht plot 20 mijë kriminelë, ndërsa thuhet se që prej vitit 2022 në këtë burg kanë ndërruar jetë të paktën 363 njerëz. Për arsye të mungesës së ilaçeve, higjienës bazë, ushqimit apo dhe asfiksimit. 70 persona në një qeli me shtretër pa dyshekë dhe të izoluar plotësisht nga bota e jashtme.
Today, the first 238 members of the Venezuelan criminal organization, Tren de Aragua, arrived in our country. They were immediately transferred to CECOT, the Terrorism Confinement Center, for a period of one year (renewable).
— Nayib Bukele (@nayibbukele) March 16, 2025
The United States will pay a very low fee for them,… pic.twitter.com/tfsi8cgpD6
Po çfarë është “El Tren de Aragua”?
Një bandë kriminale tejet e rrezikshme venezuelianësh që ka qenë në “shënjestër” të Donald Trump që kur ai mori mandatin e dytë presidencial. Urdhëroi deportimin e dhjetëra të burgosurve të cilët kanë kryer krime në një sërë territoresh, duke i shpallur “armiq të vendit”.
Ky grupim “gangsterësh” u bë i njohur për herë të parë në vitin 2014, në burgun Tocoron, në qendër të Venezuelës. (Emrin mund ta ketë marrë nga një sindikatë e punëtorëve që merret me hekurudhat në zonat e Karakasit dhe Araguas)

Banda, edhe pse pas hekurave, bënte ligjin brenda burgut e madje urdhëronte grabitje, rrëmbime, prostitucion e vrasje. Ishte pikërisht kjo periudha që Venezuela pati momentin e saj më të keq ekonomik, ndërsa fitimet më të mëdha i sillte vetëm krimi! “El Tren de Aragua” u zgjerua dhe jashtë vendit, duke rekrutuar anëtarë të rinj. Fillimisht, krimet u ndjenë në Kolumbi, Peru dhe Kili.
Ngjarja më e bujshme ishte ajo e vitit të shkuar, vrasja e Ronald Ojeda-s, një ish-oficer i lartë i ushtrisë së Venezuelës. Ai u rrëmbye nga banesa e tij dhe 2 ditë më vonë trupi i tij u gjet brenda një valixheje, të groposur nën çimento.
“Degët” e kësaj bande arritën deri në Shtetet e Bashkuara, ku jetojnë mbi 700 mijë emigrantë venezuelianë. Përpos episodeve të grabitjes, banda dyshohet për vrasjen e 2 oficerëve të policisë së New York dhe një tjetri në Florida.
Pavarësisht se krimet që kanë kryer janë të pakonceptueshme, për shumë, kushtet në të cilat mbahen këta të burgosur janë poshtëruese e çnjerëzore. Një video e publikuar më herët e vërteton më së miri këtë, ku të burgosurit shihen me zinxhirë në duar, të grumbulluar në hapësira tejet të vogla.
/tvklan.al