ORA 20:00 – Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për Jamarbër Malltezin. Dhëndri i ish-Kryeministrit Sali Berisha akuzohet për korrupsion pasiv në bashkëpunim dhe pastrim parash në lidhje me privatizimin e ish-kompleksit Partizani.

Jamarbër Malltezi u arrestua pasditen e së shtunës në aeroportin e Rinasit, pas kërkesës së SPAK dhe urdhër arrestit të miratuar nga GJKKO.

Sot, Gjykata e Posaçme vendosi ta lërë në fuqi të njëjtën masë sigurie.

Jamarbër Malltezi kërkoi shfuqizim të masës së sigurisë, ndërsa avokatët e tij pretenduan se nuk ka vepër penale.

Por trupa gjykuese nuk i mori parasysh këto kërkesa. Pas seancës, avokati i Malltezit, Klodian Skënderi, tha se me këtë vendim cënohet parimi i sigurisë juridike dhe se provueshmëria është e një standardi të ulët.

Klodian Skënderi, Avokati i Jamarbër Malltezit: Qëndrimi jonë që në rastin konkret nuk ka vepër penale. Personat nën hetim janë përballë një marrëdhënie juridiko-civile të pastër. Nuk mund të aludohet që me anë të ligjeve apo VKM-ve, të cilat as nuk janë kundërshtuar, të pretendohet kryerja e veprave penale. Qëndrimi jonë me akuzat e atribuara, qëndrim mohues, këtë e them me bindje për aq sa mundëm t’i shihnim fashikujt. Të akuzosh dikë sepse është një trashëgimtar i ligjshëm i një familje tiranase, siç është Begeja dhe se ka lidhur marrëdhënie kontraktore me një trashëgimtar tjetër të një familje tjetër tiranase,është shumë e guximshme. Standardi i provueshmërisë është shumë i ulët dhe me këto aludime, këtu në këtë vend po cënohet parimi i sigurisë juridike.

Edhe për ndërtuesin Fatmir Bektashi u la në fuqi masa e sigurisë detyrim paraqitje dhe ndalim për daljen jashtë vendit.


ORA 19:38 – Avokatët mbrojtës së Jamarbër Malltezit dhe Fatmir Bektashit kanë pretenduar se nuk ekziston vepër penale. Ndërkohë, Jamarbër Malltezi ka kërkuar shfuqizim të masës së sigurimit “arrest me burg”. Gjyqtarët e GJKKO tërhiqen për vendim.

ORA 18:15 – Ka nisur seanca në GJKKO ndaj Jamarbër Malltezit dhe Fatmir Bektashit.


ÇFARË NDODHI GJATË DITËS


Jamarbër Malltezi del para Gjykatës së Posaçme

Masa e sigurisë ndaj Berishës, avokati Gjokutaj: Nuk ka marrë dijeni ligjërisht dhe vendimi nuk është ekzekutuar

Jamarbër Malltezi dhe biznesmeni Fatmir Bektashi dolën sot përpara Gjykatës së Posaçme për t’u njohur me masën e sigurisë.

Seanca ishte përcaktuar të niste në orën 13:30, por u shty dhe filloi rreth orës 18:00, pasi në nisje avokatët mbrojtës të Malltezit dhe Bektashit kërkuan kohë që të njihen me dosjen.

Në këtë seancë u paraqit edhe avokati Genc Gjokutaj që u prezantua përballë gjykatës si përfaqësuesi ligjor i ish-kryeministrit Sali Berisha, por nuk u pranua të merrte pjesë në këtë seancë dhe u largua.

Në një prononcim të shkurtër për mediat, Gjokutaj tha se për klientin e tij nuk ka seancë gjyqësore pasi vendimi i gjykatës nuk është ekzekutuar. Ai e cilësoi vendimin të paligjshëm dhe si i tillë, theksoi se nuk mund të pranohet prej kryedemokratit.  


“Zoti Berisha nuk ka seancë gjyqëore, pasi vendimi nuk është ekzekutuar, pasi ai është vendim i paligjshëm dhe si i tillë nuk mund të pranohet nga zoti Berisha. Ky është një proces i parregullt ligjor dhe në momentin kur Berisha nuk ka marrë dijeni dhe nuk është ekzekutuar ky vendim, ai nuk është pjesë e këtij procesi. Tani këtë ngërç procedurial duhet ta zgjidhin ata që e krijuan. Janë vendime të njëanshme të prokurorisë.”

I pyetur nëse do vijë Berisha në gjykatë, avokati u përgjigj: “Do pyesim zotin Berisha”.

Këto janë pamjet që vijnë nga seanca gjyqësore që po zhvillohet në Gjykatën e Posaçme.

Jamarbër Malltezi në seancën për masën e sigurisë

Dhëndri i ish-kryeministrit Sali Berisha u arrestua të shtunën me urdhër të SPAK. Ai akuzohet për korrupsion dhe pastrim parash, në lidhje me privatizimin e ish-klubit Partizani.


Në gjykatë po ashtu ka mbërritur edhe biznesmeni Fatmir Bektashi, për të cilin SPAK ka kërkuar masën detyrim paraqitje. Edhe ndërtuesi akuzohet nga SPAK për korrupsion e pastrim parash.

Për të njëjtën dosje, Prokuroria e Posaçme ka vënë nën hetim dhe ish-kryeministrin Sali Berisha, të cilin e akuzon për korrupsion dhe ka kërkuar masën detyrim paraqitje dhe ndalim për të dalë jashtë vendit.


Akuzat penale të ngritura nga SPAK:

Sali Berisha – Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë kryer në bashkëpunim, (neni 260 ) dhe 25 i K.Penal

Jamarbër Malltezi – Korrupsion pasiv në bashkëpunim (neni 260) dhe Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale, (neni 287) i K.Penal;

Fatmir Bektashi – Korrupsion aktiv dhe Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale, (neni 287) i K.Penal; /tvklan.al