Kjo javë pritet të jetë me mot të paqëndrueshëm. Parashikohet që duke nisur nga dita e martë do të kemi prezentë të reshjeve të shiut kryesisht në pjesën veriore dhe atë qendrore, ndërsa pjesa jugore do të mbetet nën ndikimin e vranësirave te shumta.

“Duke filluar që në orët e para të ditës së martë, zonat veriore dhe pjesërisht zonat qendrore do të kenë reshje shiu, herë pas here në formën e rrebesheve. Dita e mërkurë dhe dita e enjte do të sjellin vrenjtësira më të mëdha dhe reshjet do të jenë më prezente në territorin shqiptar. Më të dukshme pritet që të jenë në intervalin duke filluar nga ora 22:00 e ditës së mërkurë dhe të paktën deri në pjesën e parë të ditës së enjte. Një parametër i cili do të jetë problematik gjatë kësaj jave është edhe parametri i erës”, tha sinoptikani Hakil Osmani.

Pavarësisht vranësirave dhe reshjeve, temperaturat do të jenë të pazakonta për muajin Mars

“Dita e mërkurë sjell një rritje të temperaturave të ajrit, duke bërë që të regjistrohen maksimume shumë pranë vlerave 23 gradë Celsius në orët e mesditës. Janë temperatura mjaft të larta sa i përket muajit në të cilin ne ndodhemi”, shtoi sinoptikani.

Edhe rajoni do të jetë i ndikuar nga vranësirat, reshjet e shiut dhe temperature të larta.

Klan News