Në Shkodër ka nisur prishja edhe e 10 objekteve të tjera në hyrje të qytetit. Ndërhyrja nga Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit po bëhet me qëllim për t’i hapur rrugë projektit të modernizimit të infrastrukturës së zonës.

Pronarët e këtyre objekteve janë njoftuar më herët për aksionin, ndërsa kanë përfunduar edhe procedurat e shpronësimit.

“Tani fillojmë punën për prishjen e të gjitha objekteve të cilat bëhen pengesë për organizimin e projektit të rikualifikimit të hyrjes së qytetit dhe bregut perëndimor të liqenit të Shkodrës”, tha drejtori i IKMT-së në Shkodër, Emiljan Nika.

Më herët janë shembur edhe 10 objekte të tjera që preken nga i njëjti projekt.

“Janë njoftuar, kemi gjetur mirëkuptimin e tyre. Siç e shihni ka disa ditë që po punohet dhe i kanë lejuar vullnetarisht objektet dhe çdo gjë vjen normalisht pa asnjë rezistencë, pa asnjë problematikë”, tha Nika.

Sipas autoriteteve, projekti i ri për hyrjen e qytetit jep një tjetër estetikë në zonë, ndërsa lehtëson edhe lëvizjen në këtë pjesë të qytetit

Klan News